Vendosni fjalën kyçe....

Ish-ndihmësi pranon para gjykatës: Hillary Clinton urdhëroi publikimin në media të historisë false “Russiagate”


Ish-menaxheri i fushatës presidenciale të Hillary Clintonit, Robby Mook ka thënë para gjykatës se në vitin 2016, shefja e tij miratoi nxjerrjen në media të historisë së rreme që Donald Trump kishte qenë në kontakt me Alfa Bank të Rusisë.

Historia që filloi me një nga avokatët e Clintonit rezultoi më vonë të ishte e rreme.

Mook, i cili drejtoi fushatën e pasuksesshme të Clintonit në vitin 2016, i tha gjykatës se avokati i fushatës Marc Elias iu afrua duke pretenduar se kishte prova që serverët e lidhur me Alfa Bank të Rusisë shkëmbyen të dhëna me serverë që i përkisnin Organizatës së Trump. Ai tha se ishte siguruar se provat kishin ardhur nga “njerëz që kishin ekspertizë në këtë lloj çështjeje”.

Mook tha para gjykatës se askush në fushatë nuk ishte “plotësisht i sigurt” mbi këtë informacion dhe se ai e pyeti Clintonin nëse duhet t’i publikojë ato në media. “Ajo ra dakord.”- tha ai dhe informacioni u publikua, citon RT.

Pasi pretendimet u publikuan në portalin e lajmeve Slate, fushata e Clintonit nxorri një deklaratë ku e përshkruante lajmin si “lidhja më e drejtpërdrejtë deri tani midis Donald Trump dhe Moskës”. Këshilltari i atëhershëm i Clintonit dhe këshilltari aktual i Sigurisë Kombëtare, Jake Sullivan, shkroi deklaratën, duke thënë se akuzat mbi Alfa Bank ngrenë “pyetje edhe më shqetësuese në dritën e organizimit të përpjekjeve të hakerëve nga Rusia… për të dëmtuar fushatën e Hillary Clinton”.

Megjithatë, akuzat ishin të rreme. Raporti i këshilltarit të posaçëm Robert Mueller për “bashkëpunim të fshehtë” midis fushatës së Trump dhe Rusisë nuk i përmendi akuzat për serverin dhe nuk gjeti prova të “përpjekjeve për hakerimin” rus me qëllim për të ndikuar në zgjedhjet e vitit 2016.

Për më tepër, një hetim i FBI-së mbi akuzat zbuloi se nuk kishte “asgjë atje”. Këtë dëshmoi  dhe ish-këshilltari i përgjithshëm i agjencisë, James Baker, në të njëjtën sallë gjyqi të enjten. Të dy Mook dhe Baker po dëshmonin në gjyqin e Michael Sussmann, i cili i pari solli akuzat e Alfa Bank në FBI.

Sussman akuzohet për dhënien e deklaratave të rreme kur i tha Bakerit në vitin 2016 se nuk po punonte “për asnjë klient” kur iu drejtua FBI-së me pretendimet e tij. Megjithatë, ai ishte duke punuar për fushatën e Clintonit në atë kohë.

Trump ka këmbëngulur që nga viti 2016 se akuzat për “bashkëpunim të fshehtë” me rusët kundër tij ishin një “gjueti shtrigash” e motivuar politikisht.