Kryepeshkopi i San Franciskos, Salvatore Cordileone, njoftoi të premten se i ka ndaluar marrjen e kungimit kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Kjo për shkak të qëndrimit të saj pro abortit, duke shënuar një përshkallëzim të tensioneve midis Kishës Katolike Romake dhe politikanëve liberalë demokratë që janë pro abortit.
Cordileone i ka shkruar demokrates nga Kalifornia, duke e informuar se ajo nuk duhet të paraqitet më për Kungimin e Shenjtë në meshë dhe se priftërinjtë nuk do t’ja japin kungimin nëse ajo paraqitet për ta marrë.
“Një ligjvënës katolik që mbështet abortin e prokuruar, pasi ka njohur mësimet e kishës, kryen një mëkat dukshëm të rëndë, i cili është shkaku i skandalit më të rëndë për të tjerët. Prandaj, ligji universal i Kishës parashikon që persona të tillë ‘nuk duhet të pranohen në Kungimin e Shenjtë.”- thotë ai në një letër sipas Fox News.
Pavarësisht se kisha e ndalon qartazi abortin, politikanët katolikë liberalë janë përpjekur vazhdimisht të përpiqen të harmonizojnë besimet e tyre katolike me mbështetjen për të drejtat e abortit.
Guvernatori i Nju Jorkut, Mario Cuomo, e deklaroi veten personalisht kundër abortit në vitin 1984, por tha se nuk mund ta impononte pikëpamjen e tij në vend.
Që atëherë, demokratët si Pelosi kanë qenë më të hapur në mbështetjen e tyre për politikat pro-abortit. Presidenti Biden, gjithashtu një katolik, dikur kishte mbështetur Amendamentin Hyde – i cili ndalonte që fondet e SHBA-së të shkonin për të paguar për abortet jashtë vendit. Ai ndryshoi qëndrim kur kandidoi për president në vitin 2020 dhe së fundmi e ka përshkruar “të drejtën e një gruaje për të zgjedhur” si “themelore“.