Rusia ka ndaluar dërgesat e gazit natyror në Finlandë pasi kompania shtetërore Gasum nuk arriti të kryente pagesën e kërkuar në rubla, tha të shtunën operatori finlandez i sistemit të gazit Gasgrid Finland.
Gazprom Export i Rusisë ka konfirmuar se ka bërë një ndërprerje të plotë të dërgesave të gazit në Finlandë.
“Gazprom ka ndërprerë plotësisht furnizimin me gaz në Gasum (Finlandë) për shkak të mospagesës në rubla. Deri në fund të ditës së punës më 20 maj, Gazprom Export nuk ka marrë pagesë për furnizimet me gaz në prill nga Gasum (Finlandë), në përputhje me mekanizmin e ri të pagesave të bazuara në rubla”- tha kompania në një deklaratë, sipas RT.
Gasum konfirmoi gjithashtu të shtunën se dërgesat kishin ndaluar. Në fillim të kësaj jave, Gasum njoftoi se nuk do të pajtohej me skemën e re të pagesës së gazit të bazuar në rubla.
Finlanda importon shumicën dërrmuese të gazit të saj natyror nga Rusia, por karburanti përbën vetëm rreth 5% të përdorimit të energjisë në vend.
Gati 30% e energjisë primare në Finlandë vjen nga lëndë djegëse me bazë druri, ndërsa 22.5% është nga nafta dhe 19% nga energjia bërthamore, sipas raporteve të mediave.
Në vitin 2020, Rusia furnizoi Finlandën me rreth 1.61 miliardë metra kub gaz natyror dhe vitin e kaluar kjo shifër ishte 1.8 miliardë metra kub. Gjithashtu, Finlanda ka dy terminale të gazit natyror të lëngshëm në Pori dhe Tornio, me kapacitet total prej 0.65 miliardë metra kub në vit.
Për të zëvendësuar plotësisht furnizimet me gaz rus, Finlandës do t’i duhet të përdorë plotësisht infrastrukturën e saj ekzistuese energjetike, thonë analistët, pasi kombi nordik nuk ka kapacitete nëntokësore të depozitimit të gazit.
Kompania shtetërore Gasum thotë se është e përgatitur për një mbyllje të furnizimit rus. Finlanda shpreson të marrë gaz nga Estonia përmes tubacionit të gazit Baltiçonnector gjatë verës, megjithëse Talini gjithashtu hodhi poshtë mekanizmin e ri të pagesave të Rusisë muajin e kaluar dhe kufizimet e kapacitetit në tubacion mund të komplikojnë detyrën.
Raportet e mediave thonë gjithashtu se Estonia dhe Finlanda synojnë të marrin me qira një terminal lundrues për të marrë gaz natyror të lëngshëm (LNG) deri në vjeshtën e ardhshme.