Ndërkohë që Komisioni i Rithemelimit zhvillon zgjedhjet për kreun e PD, dhe Sali Berisha votonte në selinë blu, ish-kryetari Lulzim Basha reagonte në rrjetet sociale me anë të një postimi kujtese për Qafë Barin ku mes rreshtave jepte një mesazh me nënkuptim.
Basha ndër të tjera shkruan se “Revolta e Qafë Barit është kujtesë për të mos lënë mbetjet e komunizmit të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të skuarës”.
“Me 22 maj 1984, 11 vite pas kryengritjes së Spaçit, në një tjetër burg mizor të diktaturës komuniste ringriti krye shpresa për liri dhe kundër padrejtësisë.Sot përulemi me respekt para heroizmit të martirëve të revoltës së Qafë-Barit, Sokol Sokoli dhe Tomë Ndoja, dhe qindra bashkëvuajtësve të tyre, të burgosur politikë që sfiduan me kurajo regjimin gjakatar nga brenda kampit të vuajtjes, ku dhuna e egër ishte e vetmja gjuhë me të cilën diktatura u komunikonte mizoritë e saj njerëzve të lirë, që nuk u dorëzuan kurrë përballë regjimit.Revolta e Qafë Barit është pjesë e trashëgimisë politike të rezistencës antikomuniste, e bashkë me vendet e kujtesës, përbën një pasuri shpirtërore dhe kulturore që duhet mbrojtur e nderuar për të mos lejuar që harresa të fshijë vuajtjet dhe sakrificat që farkëtuan shpirtin e rezistencës ndaj regjimit mizor, për të mos lënë mbetjet e komunimizit të relativizojnë dhimbjen dhe përgjegjësitë e të shkuarës, për të mos e marrë kurrë lirinë si të mirëqenë.Lavdi përjetë martirëve të Revoltës së Qafë Barit!”-shkruan Basha.
Gjatë përplasjes me Berishën pasi e pezulloi më 9 shtator 2021 nga Grupi Parlamentar mbështetës të Bashës dhe vetë Basha i kujtonin ish-kryeministrit që ka qenë anëtar i Partisë Komuniste.
Ndërkohë në zgjedhjet që zhvillon Komisioni i Rithemelimit, mbështetës të Grupit të Bashës i kanë kundërshtuar ato duke mos u bërë pjesë e tyre.