Studiuesi Auron Tare ka reaguar pas diskutimeve të sotme në Kuvend lidhur me çështjen e administrimit të Butrintit.
Tare i cili është ish-drejtori i Parkut Arkeologjik të Butrintit, i kujton ministres së Kulturës Elva Margariti, figurat e rëndësishme ndërkombëtare që kanë vizituar Parkun e Butrintit përgjatë viteve. Kjo pas deklaratës së saj në Parlament se Butrinti njihet vetëm në rrafsh kombëtar dhe se marrëveshja për dhënien e Butrintit në administrim AADF-së do ndihmojë në promovimin e parkut në rang ndërkombëtar.
Tare kujton vizitat e ish-kryemnistrit italian Silvio Berlusconit, familjarëve të ish-presidentit amerikan Donald Trump, apo dhe vizitën e bashkëshortes së princit Charles të Britanisë.
“Në ndihmë të Ministres së Kulturës e cila nga Podiumi i Parlamentit sapo deklaroi se Butrinti njihet vetëm në rrafshin kombëtar dhe tashmë ky model do ta bëjë atë të njohur në rrafshin ndërkombëtar do të doja t’i thoja znj.Ministre se:
Nga viti 1993 deri ne vitin 2010 jo vetëm ka pasur vëmendjen dhe ndihmën e dy personaliteteve botërore si Lord Rothschild dhe Lord Sainsbury of Preston Candover por është vizituar nga një numër shumë i madh personalitetesh botërore. Duke filluar nga Presidenti i Bankës Botërore Wolfenson, emra të rëndësishëm të medias, modës, financave, kinematografisë, shkencës, mediave etj.
Vetëm vitin e kaluar Butrinti u vizitua nga Familja e Presidentit Amerikan Trump si dhe Presidenti aktual i Klubit të Futbollit të PSG. Mund t’i them znj Ministre se në Butrint ka qëndruar për disa ditë edhe Mbretëresha e ardhshme e Anglisë. Mbreti Simeon i Bullgarisë, Princesha Olga e Spanjës, Silvio Berluskoni, Prodi, Familja e njohur amerikane Getty, Familja e Presidentit Amerikan Klinton.
Të gjitha këto për memorie historike. Ju faleminderit!”– shkruan Tare ndërsa ndan edhe në shkrim të vitit 2001, për vizitën e Camilla Parker në Shqipëri, bashkëshortes së princit Charles.
Gjatë fjalës së saj në Parlament, ministrja Margariti u shpreh se nuk mund të flitet për mirëadministrim të Butrintit, duke marrë referenca të 2012.
“Kërkohet që të flasim sot me vizionin e 2012. Nuk do t’ja lejoja vetes që të ktheja kokën pas 10 vite. Ne sot jemi duke parë rekomandimet e 2030 dhe mirëadministrim do të thotë ta vendosësh në dispozicion të komunitetit për herë të parë këtë potencial turistik.“– tha ajo.