Dy ngjarje të ndodhura ditën e sotme kanë tronditur policinë e shtetit pasi në to u përfshinë tre efektivë policie.
Ngjarja më e rëndë ndodhi brenda Komisariatit Nr.3 në Tiranë, ku efektivi i policisë qëlloi për vdekje kolegun e tij.
Autori i dyshuar u ndalua në flagrancë, ndërsa raportimet flasin për një konflikt të nisur në rrethana ende të sqaruara. Sipas raportimeve autori i dyshuar ka qëlluar 6 herë në drejtim të kolegut të tij.
Fillimisht efektivi i qëlluar u dërgua në spital por nuk i mbijetoi plagëve të marra.
Ndërsa ngjarja tjetër ndodhi në zonën e ish-Kombinatit në kryeqytet.
Një shtetas rreth 60-vjeç u gjet i plagosur në këtë zonë nga qytetarë të rastit.
Fillimisht policia këtë ngjarje e raportoi si një ngjarje rastësore ku për të plagosurin tha se dyshohet të ketë qenë me probleme mendore.
“Më datë 23.05.2022, rreth orës 20:45, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, shtetasi M. L., rreth 60 vjeç, banues në Kombinat, i cili në rrethana ende të paqarta, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri.
Nuk dihen rrethanat nëse është vetëplagosur apo e kanë plagosur. Paraprakisht dyshohet se ky shtetas vuan nga probleme të shëndetit mendor. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon sqarimin e rrethanave të ngjarjes”-thuhet në njoftimin e policisë.
Por më pas policia njoftoi se një efektiv policie i repartit të ndërhyrjes së shpejtë ishte përfshirë në ngjarje.
Këtë herë sipas policisë, efektivi kishte qëlluar me armë shtetasin Myrteza Lika rreth 60-vjeç.
Efektivi i FNSH-së është ndaluar më pas nga policia.
Dy ngjarje këto të ndodhura në një hark të shkurtër kohor që trondisin policinë dhe besueshmërinë e saj te qytetarët.