Vendosni fjalën kyçe....

Gjyqi i parë për krime lufte në Ukrainë, ushtari rus dënohet me burgim të përjetshëm


Një gjykatë në Ukrainë ka dënuar me burgim të përjetshëm një luftëtar rus të akuzuar për vrasjen e një civili në gjyqin e parë të krimeve të luftës që nga pushtimi.

Siç shkruan BBC, ushtari rus Vadim Shishimarin u dënua për vrasjen e 62 vjeçarit Oleksandr Shelipov, në fshatin veri-lindor të Chupakhivka më 28 shkurt.

Ai pranoi se e kishte qëlluar z. Shelipov, por tha se kishte vepruar sipas urdhrave dhe kërkoi i falje bashkëshortes së të ndjerit.

Shumë krime të tjera të dyshuara lufte po hetohen nga Ukraina. Moska ka mohuar që trupat e saj të kenë shënjestruar civilët gjatë pushtimit, ndërsa Ukraina thotë se mund të kenë ndodhur më shumë se 11 mijë krime.

Moska tha më herët të hënën se ishte e shqetësuar për fatin e ushtarit rus dhe do të shikonte opsionet për ta mbrojtur atë. Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov vuri në dukje megjithatë se Rusia “nuk kishte kapacitetin për të mbrojtur personalisht interesat e tij”. Ambasada e Rusisë në Kiev aktualisht është e mbyllur.

Avokati i tij tha se do të apelohet kundër vendimit.

Ushtari 21-vjeçar, shërbeu në divizionin prestigjioz të tankeve të Rusisë Kantemirovskaya.

Në kohën e vrasjes, ai dhe ushtarët e tjerë po udhëtonin me një makinë që e kishin kapur pasi kolona e tyre u sulmua dhe ata u ndanë nga njësia e tyre.

Kur e panë Shelipovin që po fliste në telefonin, Shishimarin thotë se ka marrë urdhër që ta qëllojë me një pushkë.

Avokati i tij mbrojtës i tha gjykatës të premten se Shishimarin kishte qëlluar vetëm pasi kishte refuzuar dy herë të zbatonte urdhrin për të qëlluar dhe se vetëm një nga tre fishekë e kishte goditur objektivin. Ai tha se Shishimarin kishte qëlluar nga frika për sigurinë e tij dhe pyeti nëse i pandehuri kishte ndërmend të vriste.

Në një moment dramatik gjatë gjykimit, e veja e viktimës Kateryna Shelipova u përball me Shishimarin.

“Më thuaj të lutem, pse erdhët ju këtu? për të na mbrojtur?”- pyeti ajo, duke përmendur justifikimin e presidentit rus Vladimir Putin për pushtimin e Ukrainës.

“Për të na mbrojtur nga kush, më ke mbrojtur nga burri im, të cilin e vrave?”

Ushtari nuk kishte përgjigje për këtë. Pasi i kërkoi falje të vesë, ai shtoi: “Por e kuptoj që nuk do të mund të më falësh”. Shelipova tha për BBC-në: “Më vjen shumë keq për të, por për një krim të tillë, nuk mund ta fal.”