Ndonëse Qeveria ka të hapura frontet e punimeve në shumë akse rrugore nacionale, si Unaza e Re, Kardhiq-Delvinë, Qukës-Qafë Thanë, tuneli i Llogorasë etj, në katërmujorin e parë të këtij viti, zëri i investimeve kapitale shënoi nivelin më të ulët të pesë viteve të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave, investimet kapitale u realizuan në nivelin e 15,5 miliardë lekë me rënie vjetore 44 për qind.
Rënia kaq e lartë i dedikohet efekteve zgjedhore të vitit 2021 ku zëri i investimeve shënoi një rritje jo të zakonte (shih grafikun bashkëngjitur). Gjithashtu, zëri i investimeve në janar-prill 2022 ishte më i ulëti që nga viti 2017.
Këtë vit, qeveria po tregohet më e rezervuar me zërin e investimeve për siguruar një mbrojtje më të lartë ndaj goditjeve të papritura që mund të sjellin çmimet e energjisë etj. Por nëse rreziqet nuk ndodhin investimet rrezikojnë të rishpërndahen në dhjetor njësoj si përgjatë viteve të fundit.
Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave ,investimet kapitale faktike më 2021 arritën një vlerë prej 128 miliardë lekësh (mbi 1 miliard euro), por 32 % e kësaj vlerë 42 miliardë lekë ( 340 milionë euro) u dhanë gjatë muajit dhjetor.
Injektimet shumë të larta të qeverisë në muajin dhjetor nëpërmjet investimeve kapitale janë bërë shkak për rritjen e parasë në qarkullim dhe për rrjedhojë edhe për rritjen e çmimeve. Në dhjetor 2021 inflacioni shënoi nivelin më të lartë të vitit me 3.7%.
Banka e Shqipërisë historikisht e ka këshilluar qeverinë që të ketë një shpërndarë harmonike të zërit të investimeve gjatë gjithë vitit me qëllim që veç të tjerash të ruhet edhe efektiviteti i përdorimit të fondeve.
Zhvillimet buxhetore të vitit 2022 po ecin sërish në të njëjtën rrugë. Ndërkohë që qeveria rishpërndan akumulimin e investimeve kapitale në fund të vitit në projekte të ndryshme, një borxh i fshehur jashtë llogarive zyrtare po rritet vit pas viti dhe po shihet me shqetësim nga institucionet financiare ndërkombëtare.
Gjithashtu Ministria e Financave nuk po i përmbahet zotimeve që i dha FMN për të mos ndryshuar buxhetin me akt normativ.
Në fillim të vitit stafi i FMN njoftoi se, qeveria shqiptare është angazhuar të ndalojnë përdorimin e akteve normative për rishikimet e buxhetit në vitin 2022 dhe ka siguruar që çdo ndryshim do t’i nënshtrohet miratimit normal parlamentar, mirëpo deri më tani 3 akte normative janë miratuar për ndryshimin e buxhetit. Vetëm vitin e kaluar u lëshuan 4 akte normative për ndryshimin e buxhetit. /B.Hoxha
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor