Një efektiv i FNSH dyshohet si autori i plagosjes me armë zjarri të një 60-vjeçari në ish-Kombinat në Tiranë.
Policia ka arrestuar efektivin Lutfi Gjyli. Gjyli dyshohet se ka plagosur në këmbë 60-vjeçarin Myrteza Lika.
Në njoftim policia thotë se efektivi i FNSH-së ka qenë në gjendje të dehur.
“Në lidhje me informacionin paraprak të dhënë pak më parë, i cili bën fjalë se në Kombinat është plagosur me armë zjarri në këmbë shtetasi M. L., 60 vjeç, ju sqarojmë se:
Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6 është identifikuar dhe shoqëruar në ambientet e komisariatit, autori i kësaj ngjarje, shtetasi L. Gj., efektiv i FNSH-së, i cili gjatë kryerjes së krimit ka qenë në gjendje të dehur.
Grupi hetimor i krijuar nga Agjensia e Mbiikëqyrjes Policore (AMP) nën drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes”-thuhet në njoftimin e policisë.
Policia në raportimin e saj paraprak e dyshonte se i plagosuri vuante nga probleme të shëndetit mendor.
“Më datë 23.05.2022, rreth orës 20:45, është paraqitur në spital për ndihmë mjekësore, shtetasi M. L., rreth 60 vjeç, banues në Kombinat, i cili në rrethana ende të paqarta, dyshohet se është plagosur në këmbë me armë zjarri.
Nuk dihen rrethanat nëse është vetëplagosur apo e kanë plagosur. Paraprakisht dyshohet se ky shtetas vuan nga probleme të shëndetit mendor. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon sqarimin e rrethanave të ngjarjes”-thuhet në njoftimin e policisë.