Vendosni fjalën kyçe....

Pse kriminelët përdorin Matrix për të komunikuar


Arrestimet e ditëve të fundit në operacionin e SPAK dhe zbardhja e dëshmive të të penduarve të drejtësisë Dumani, Hoxhaj e Xhixha, ka zbuluar një fakt interesant.

Komunikimi nëpërmjet tyre e personave të tjerë ende në kërkim bëhej përmes aplikacionit ‘Matrix’. Përmes aplikacionit ata shkëmbenin vrasjet që duheshin bërë, personat në shënjestër, pagesat e një mori informacionesh të tjera, tani për tani të pagjurmueshme nga ana e policisë.

Matrix është një aplikacion që përdoret gjerësisht mes trafikantëve e grupeve të ndryshme kriminale në mbarë botën.

Pak muaj më parë, pas goditjes së disa grupeve ndërkombëtare të trafikut të drogës e zbërthimit të rogramit Skysec, përdoruesit e aparateve me programin Matrix morën një mesazh nga ana e kompanisë që i qetësonte duke i garantuar se telefonat e tyre nuk ishin çkoduar a zbërthyer nga organet ligjzbatuese.

Në vetë faqen e saj në internet, Matrix e përshkruan kështu veten:

“Matrix është një projekt me burim të hapur që publikon standardin e hapur të Matrix për komunikim të sigurt e të decentralizuar në kohë reale zbatimet e referencës të serverit të saj Apache të saj të licencuar. E mirëmbajtur nga fondacioni jofitimprurës Matrix.org, ne synojmë të krijojmë një platformë të hapur e cila është po aq e pavarur, e gjallë dhe në zhvillim sa vetë Ëeb-i…por për komunikim. Që nga qershori 2019, Matrix ka dalë nga versioni beta dhe protokolli është plotësisht i përshtatshëm për përdorim.”

Po kështu sipas Matrix, ata nuk kanë server të dhënash dhe as nuk i detyron përdoruesit e tij që të japin të dhëna të vërteta apo arsyet pse po përdoret.

Kompania pretendon se është një pikë e decentralizuar bisedash më shumë sesa një protokoll mesazhesh. Kur dërgohet një mesazh në Matrix, ai përsëritet në të gjithë serverët, përdoruesit e të cilëve po marrin pjesë në një bisedë të caktuar.

Matrix thotë se nuk ka asnjë pikë të vetme kontrolli në një bisedë Matrix që përfshin shumë serverë: akti i komunikimit me dikë tjetër në Matrix ndan pronësinë e bisedës në mënyrë të barabartë me përdoruesit e tjerë. ‘Edhe nëse serveri juaj shkon jashtë linje, biseda mund të vazhdojë pa ndërprerje diku tjetër derisa të kthehet. Sipas kompanisë kjo do të thotë që çdo server ka vetësovranitet të plotë mbi të dhënat e përdoruesve të tij dhe çdokush mund të zgjedhë ose të drejtojë serverin e tij dhe të marrë pjesë në rrjetin më të gjerë Matrix’.

Po sa të sigurt janë ata që njihen si ‘telefonat e punës’ mes grupeve kriminale apo trafikantëve të lëndëve narkotike.

Pavarësisht garancisë së dhënë nga kompania për aparatet që mes narkotrafikantëve e vrasësve njihen si ‘telefonat e punës’, koha ka treguar se programet e enkriptuara kanë mundur të ruajnë jo më shumë se 2 vite jetë integritet dhe pamundësi të autoriteteve për t’i çkoduar.

Më pas ato janë zbërthyer nga agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare, gjë që ka çuar në shumë raste në goditje të rëndë ndaj grupeve kriminale në mbarë botën duke çuar në arrestime masive e sekuestrime drogë e armësh.