Kryetarja e LSI-së ka thënë sot se forca politike që drejton ka qenë mbështetëse e votës së emigrantëve.
Ajo akuzoi shumicën për shkeljen në mënyrë të njëanshme të marrëveshjes së 5 qershorit 2020, gjë që sipas saj shtrembëroi sistemin zgjedhor e çoi në manipulim të zgjedhjeve.
Kryemadhi e bëri deklaratën në prani të ambasadores amerikane Kim, në prani të së cilës u nënshkrua marrëveshja mes PS-së e opozitës, që u shkel më pas na ana e PS-së.
“Do doja të mos i quajmë emigrantë, por shtetas shqiptarë. Që prej themelimi të saj LSI ka qenë pro dhe avokate promovuese e garantimit të drejtës së votës. Ne si subjekt politik adresojmë çështjen e regjistrimit të shtetasve shqiptarë me banim të përhershëm jashtë Shqipërisë. Por si mund të jetë regjistrimi, nëpërmjet E-Albania? Përgjigja është se shumë pak shqiptarë janë të regjistruar. Mënyra e votimit është një tjetër çështje që duhet të adresohet. Po ashtu aktualisht në Kodin Zgjedhor nuk është parashikuar se ku do ta japë efektin vota e tyre. Shkelja e marrëveshjes së 5 Qershorit, shtrembëroi njëanshmërisht sistemin zgjedhor, dhe ky sistem zgjedhor tashmë i deformuar prodhoi një rezultat zgjedhor të manipuluar, nga ku rezultoi se Subjekti Lëvizja Socialiste për Integrim edhe pse u votua nga rreth 110 mijë zgjedhës, arriti të marrë vetëm 4 mandate përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë.” – tha Kryemadhi në konferencën për votën e emigrantëve të organizuar nga KQZ-ja e OSBE-ja.