Vendosni fjalën kyçe....

19 fëmijë dhe dy të rritur vriten në një sulm me armë nga një 18 vjeçar në një shkollë fillore në SHBA


Nëntëmbëdhjetë fëmijë të vegjël dhe dy të rritur kanë vdekur nga të shtënat në një shkollë fillore në Teksasin jugor.

Personi i armatosur hapi zjarr në shkollën fillore Robb në qytetin e Uvalde para se të vritej nga forcat e rendit, thanë zyrtarët.

I dyshuari 18-vjeçar kishte një pistoletë, një pushkë gjysmë automatike AR-15 dhe karikatorë me kapacitet të lartë, thonë hetuesit.

Adoleshenti dyshohet se ka qëlluar gjyshen e tij para se të kryente masakrën.

Mediat lokale raportojnë se ai mund të ketë qenë një nxënës i shkollës së mesme në zonë.

Shefi i Policisë së Distriktit të Pavarur të Shkollës Uvalde, Pete Arredondo tha se të shtënat filluan në orën 11:32 me orën lokale të së martës dhe se hetuesit besojnë se sulmuesi “veproi i vetëm gjatë këtij krimi të tmerrshëm”.

Guvernatori i Teksasit Greg Abbott tha se sulmuesi, të cilin ai e quajti si Salvador Ramos, braktisi një automjet përpara se të hynte në shkollë për të hapur zjarr “të tmerrshëm, në mënyrë të pakuptueshme”.

Agjencia e lajmeve Associated Press raporton se një oficeri i Patrullës Kufitare të SHBA-së, i cili ishte afër kur filluan të shtënat, hyri me shpejtësi në shkollë dhe qëlloi dhe vrau personin e armatosur, i cili ndodhej pas një barrikade.

Dy agjentë kufitarë thuhet se u qëlluan në një shkëmbim me personin e armatosur. Një agjent u qëllua në kokë, thonë zyrtarët, duke shtuar se të dy tani janë në gjendje të qëndrueshme në spital.

Sipas CBS News, qitësi kishte veshur jelek anti-plumb ndërsa kreu sulmin.