Indonezia thirri ambasadorin e Britanisë të hënën për të shpjeguar ngritjen e flamurit LGBT në ambasadën e saj. Xhakarta u bëri thirrje të dërguarve të huaj që të respektojnë ndjeshmëritë lokale në vend.
Ambasada javën e kaluar postoi një foto në Instagram të një flamuri LGBT në mjediset e saj për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Bifobisë dhe Transfobisë. Ajo u shoqërua me një mesazh mbështetjeje për të drejtat e LGBTQ.
Një reagim i ashpër pasoi në mesin e indonezianëve konservatorë në internet në përgjigje të postimit në mediat sociale.
‘Alumni 212 Brotherhood’, një lëvizje konservatore islamike me ndikim, në një deklaratë tha se flamuri njollos ‘vlerat e shenjta të Indonezisë’.
Të hënën, ministria e jashtme e Xhakartës thirri ambasadorin britanik Oëen Jenkins për të shpjeguar.
“Veprimi, së bashku me publikimin e fotografisë përmes llogarisë zyrtare të mediave sociale të ambasadës britanike, është shumë i pakujdesshëm.” – tha zëdhënësi i ministrisë Teuku Faizasyah të hënën.
“Ministria dëshiron t’u kujtojë të dërguarve të huaj që të respektojnë ndjeshmërinë e vlerave kulturore dhe fetare.” – shtoi ai.
Kryetari i organit më të lartë të dijetarëve islamikë të Indonezisë, Këshilli i Ulemasë Indoneziane, tha se misioni diplomatik tregoi mungesë respekti për mbështetjen e hapur të të drejtave LGBTQ.
“Ne duhet t’i qortojmë ata që si mysafirë, duhet të dinë vendin e tyre dhe të kuptojnë normat në vendin ku ndodhen.” – i shkroi Cholil Nafis 68,000 ndjekësve të tij në Twitter të shtunën.