Vendosni fjalën kyçe....

Disa efektivë i morën me dhunë aparatin fotoreporterit, reagon Policia e Shtetit: Kemi nisur hetimet, do merren masa disiplinore


Gent Shkullaku

Policia e Shtetit ka reaguar lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar me fotoreporterin Gent Shkullaku, i cili pretendon se disa efektivë i morën aparatin forografik me dhunë dhe i fshinë dis foto.

Kreu i Përgjithshëm i Policisë Gledis Nano ka urdhëruar hetimin e këtij incidenti. Në rast se konfirmohet sjellja e gabuar e policëve, paralajmërohen masa ndaj tyre.

“Një grup i posaçëm nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike po kryen të gjitha veprimet dhe nëse do të rezultojë se ka patur tejkalim apo shkelje të procedurave standarde të punës nga punonjës policie, do të merren masat disiplinore përkatëse.”– thuhet në njoftimin e Policisë.

Fotoreporteri i njohur Gent Shkullaku tha sot për BIRN se disa efektivë e ndaluan dhe i morën me dhunë aparatin fotografik, duke i kërkuar që të fshinte fotografitë që kishte shkrepur.

 “Po fotografoja, kur më ndalojnë policët dhe më thonë ‘nuk lejohet, po na nxin imazhin e Shqipërisë’. Dhe më kërkuan që të fshija fotot.”– tha Shkullaku.

Lidhur me këtë incident ai tregon se iu ankua zëdhënësit të policisë së shtetit, Gent Mullai, i cili i sqaroi policët. Por disa foto gjithsesi Shkullakun e kishin detyruar t’i fshinte, “me pretendimin se ata dukeshin me fytyrë”.

REAGIMI I POLICISË

Lidhur me incidentin e ndodhur mbrëmjen e kaluar, me fotoreporterin Genti Shkullaku, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Gledis Nano ka urdhëruar verifikimin e rrethanave të këtij incidenti.

Një grup i posaçëm nga Drejtoria e Standardeve Profesionale dhe Departamenti për Sigurinë Publike po kryen të gjitha veprimet dhe nëse do të rezultojë se ka patur tejkalim apo shkelje të procedurave standarde të punës nga punonjës policie, do të merren masat disiplinore përkatëse.

Gjatë takimit të zhvilluar mesditën e djeshme, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit u ka dhënë porosi të veçantë drejtuesve të strukturave policore të angazhuara me shërbim në Tiranë, për mbarëvajtjen e aktivitetit, që gazetarëve dhe reporterëve, vendas e të huaj, t’u krijohen të gjitha lehtësirat, me qëllim që ata të përmbushin misionin e tyre.

Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe të medias në veçanti, si dhe shpreh angazhimin për të përmbushur më së miri detyrimin për garantimin e rendit dhe sigurisë publike, në një event madhështor siç është finalja e sotme europiane e Conference League.