Vendosni fjalën kyçe....

Fier – Dënohet me 20 vite burg Skënder Krasniqi, vrau pabesisht të moshuarin Novruz Likometaj


 

Skënder Krasniqi

Gjykata e Fierit ka dënuar sot me 20 vite burg Skënder Krasniqin, i cili akuzohet për vrasjen e 82-vjeçarit Novruz Likometaj, ngjarje e ndodhur në vitin 2015.

Ndërsa më parë pretendonte pafajësinë, hetimi disa vjeçar duket se e ka thyer Skënder Krasniqin i cili ka pranuar para hetuesve se nuk e ka kryer vrasjen për shkak të ndonjë çështjeje nderi sikurse aludohej, por për shkak se viktima kishte shumë pasuri dhe ai ka dashur të përfitojë.

Ngjarja në fjalë ka ndodhur në Fier, më 21 Nëntor të vitit 2015, kur trupi i pajetë i 82-vjeçarit Novruz Likometaj u gjet në një kazan mbeturinash. Në trup iu konstatuan goditje me mjete të mprehta.

Asokohe u vu në pranga Skënder Krasniqi, por ai u lirua për mungesë provash për t’u arrestuar sërish 5 vite më vonë.

Krasniqi u arrestua në nëntor të vitit 2020, pasi sipas hetimeve të prokurorisë e kishte vrarë ai me mjete të forta fqinjin. Motiv i ngjarjes dyshohej të ishte ngacmimi seksual i të moshuarit ndaj nënës së 44-vjeçarit. Por nëna e Skënder Krasniqit nuk e ka pranuar këtë gjë dhe ky i fundit gjithashtu ka pranuar se motivi i tij ishte “pasuria” e fqinjit. Nëna e moshuar e ka mbështetur Krasniqin në çdo seancë gjyqësore, duke pretenduar se ndaj të birit të saj po bëhej një padrejtësi.

Novruz Likometaj

Por kush ishte Novruz Likometaj?

Likometaj ishte një ish-kryetar sindikate, i cili në vitet e fundit të jetës së tij ishte marrë me sipërmarrje private.

Ai ishte baba i katër djemve dhe i dy vajzave, dhe prej kohësh jetonte vetëm me bashkëshorten, në lagjen “8 Shkurti”. Likometaj përshkruhej nga të afërmit si një njeri me karakter të vështirë./Hashtag.al