Vendosni fjalën kyçe....

SHBA-ja plane ushtarake miliarda dollarëshe në Groenlandë, ‘inatoset’ Danimarka: Nuk dimë gjë


SHBA planifikon të investojë miliarda në mbrojtjen e Arktikut, duke përfshirë modernizimin e bazës së saj ajrore Thule në Groenlandë, raportoi të hënën gazeta daneze Berlingske, duke cituar një raport ushtarak amerikan. As Danimarka dhe as Groenlanda nuk janë nioftuar për planet, pretendon ajo.

Sipas gazetës, Uashingtoni i ka dhënë dritën jeshile ‘investimit të rëndësishëm’ në postin e tij më verior mes sjelljes ‘gjithnjë e më shumë agresive’ nga Rusia.

Duke cituar një deklaratë nga Forca Ajrore e SHBA-së, Berlingske shkroi se paratë do të shkojnë për përmirësimin e infrastrukturës së vjetër në Thule. Nuk janë dhënë hollësi të mëtejshme për këtë çështje dhe ambasada amerikane në Kopenhagen thuhet se nuk pranoi të japë më shumë të dhëna.

Planet, pretendoi Berlingske, erdhën si befasi për parlamentin danez dhe qeverinë e Groenlandës, pasi SHBA-ja supozohet të ‘këshillohet e t’i njoftojë’ të dyja në lidhje me çdo ndryshim të rëndësishëm në operacionet e saj ushtarake në Groenlandë, një territor autonom i Danimarkës.

“Ky është vendi ynë, kështu që ne duam të dimë kur diçka po ndodh.” – citohet të ketë thënë Pipaluk Lynge Rasmussen, një kryetar i komitetit të jashtëm dhe të sigurisë në parlamentin e Groenlandës.

Lajmi vjen menjëherë pasi Marina e SHBA-së njoftoi se do të kryente më shumë operacione në Arktik.

Në fillim të këtij muaji, komandanti i Komandës Veriore të SHBA-së dhe Hapësirës Ajrore të Amerikës së Veriut, gjenerali i Forcave Ajrore Glen D. Van Herck, tha se në funksion të rritjes së veprimtarisë nga Rusia e Kina në rajon, Arktiku tani luan një rol qendror në strategjinë e parandalimit nga ana e SHBA-së.

Baza ajrore Thule shtrihet rreth 1200 km në veri të Rrethit Arktik dhe 1522 km nga Poli i Veriut në ishullin më të madh në botë. Fillimisht u krijua për të mbrojtur kolonitë daneze në Groenlandë nga Gjermania gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Vitet e fundit është përdorur kryesisht si një sistem paralajmërimi i përparuar për zbulimin dhe gjurmimin e raketave balistike.