Vendosni fjalën kyçe....

Ukraina do konfiskojë asetet e simpatizantëve të dyshuar të Rusisë


Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka nënshkruar një ligj që lejon konfiskimin e aseteve nga qytetarët e akuzuar për mbështetje të Rusisë në konfliktin që vijon ende.

Legjislacioni, të cilin parlamenti e miratoi në mes të majit, thotë se sekuestrimi i aseteve është një masë e jashtëzakonshme që mund të përdoret vetëm gjatë gjendjes së luftës dhe bazuar në një vendim gjykate. Të dielën, Ukraina zgjati ligjin ushtarak edhe për 90 ditë të tjera, deri më 23 gusht.

“Procedura e gjurmimit dhe kapjes së pasurive të personave të sanksionuar, të cilët në një mënyrë ose në një tjetër mbështesin agresionin e pushtuesve kundër Ukrainës, do të na lejojë të rimbushim me shpejtësi dhe në mënyrë efektive buxhetin ukrainas në kurriz të armiqve.” – tha Zelensky.

Veprimet që mund të çojnë në konfiskimin e aseteve nga kompanitë dhe individët përfshijnë, atë që përkufizohet si, dëmtimin e sigurisë kombëtare dhe sovranitetin e Ukrainës, identifikimin e patriotizmit ukrainas me nazizmin dhe nxitjen e urrejtjes ndaj popullit ukrainas, kulturës dhe gjuhës së tij.

Në prill, parlamenti ukrainas miratoi një ligj që lejon shtetëzimin e aseteve të qytetarëve rusë, ose atyre me lidhje të dyshuara të ngushta me Moskën, të cilët mohojnë publikisht se një luftë është duke u zhvilluar. Rusia zyrtarisht e përshkruan konfliktin në Ukrainë si një ‘operacion special ushtarak’.