Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, doli sot në një konferencë për shtyp për të folur lidhur me finalen e “Conference League” që u luajt mbrëmjen e djeshme në stadiumin “Air Albani”.
Gjatë fjalës së tij, Duka vlerësoi organizimin e finales dhe theksoi se kjo ishte një “reklamë e jashtëzakonshme” për Shqipërinë, jo vetëm në aspektin futbollistik.
“Nëse në Shqipëri kanë qenë prezent 510 gazetarë të huaj, nëse ndeshja është transmetuar në 155 vende të botës dhe është ndjekur nga 400 milionë shikues në televizion dhe gjatë gjithë këtij transmetimi, nuk ka pasur asnjë lajm negativ apo incident dhe të gjithë kanë dalë të mrekulluar nga atmosfera e stadiumit, nga vetë stadiumi që është një projekt fantastik, shumica e tyre e kanë quajtur, siç edhe ne e kemi menduar ‘xhevahir’, unë nuk mendoj se mund të kishte promocion më të mirë për futbollin shqiptar dhe vendin. E kam thënë për futbollin shqiptar dhe për vendin. E kam thënë edhe para finales, që ne duhet të përfitojmë nga çdo lloj eventi, nga çdo lloj dritare që na jep mundësinë për të dalë në Europë, për të pasur përfitime ekonomike direkte, siç kishte në këtë rast, por edhe indirekte, për të treguar Shqipërinë, për ta promovuar. Sepse pak njerëz e kanë vizituar Shqipërinë realisht nga numri i madh që ka bota. Kështu që ka nevojë për shumë promocion, me evente faktike, pasi promocion me letra dhe reklama televizive është e vështirë të bësh, por promocion me fakte. Ky ishte një pasqyrim i realitetit shqiptar në fund të fundit.”– është shprehur Duka.
Kreu i FSHF-së tregoi për gazetarët se menjëherë pas cermonisë së djeshme biseduan për një tjetër finale në Shqipëri.
“Në fakt, që pas përfundimit të ceremonisë, filloi një lloj diskutimi i ri që ja, ne mund të bëjmë mirë dhe pse mos të shohim tani për të pasur një kompeticion të tillë si Conference League, Europa League apo Champions League, që momentalisht është e pamundur për kapacitetet e stadiumit, por për të pasur ndonjë finale Superkupe apo tjetër event të rëndësishëm europian të tipit Kampionat Europian të rinjsh, U-17, U-19, U-21. I kemi të gjitha mundësitë për t’i pasur. Kështu që, duhet të jetë objektivi i radhës.”- tha ai duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.
Mbrëmjen e kaluar, Roma triumfoi me rezultatin minimal 1-0 ndaj Fejnordit në stadiumin “Air Albania”. Mbrëmja pati disa incidente me tifozët, por që Policia e Shtetit vlerëson se janë menaxhuar me sukses.