Vendosni fjalën kyçe....

Bloomberg: Askush s’flet për energjinë elektrike, goditje më të mëdha po vijnë me faturat


Një krizë nafte po godet ekonominë si një valë e madhe që përplaset në breg. Ndikimi është i menjëhershëm dhe dramatik teksa kreshta zhytet në breg.

Por kriza e energjisë elektrike është një lloj tjetër tronditjeje, e ngjashme me një valë në rritje, ajo është e ngadaltë por e pamëshirshme dhe më pas mund të jetë dërrmuese.

Dallimi shpjegon pse politikëbërësit dhe investitorët përqendrohen te nafta dhe përpiqen të anashkalojnë energjinë elektrike. Ky është një gabim i madh, sepse një tjetër telash i madh për çmimet e energjisë elektrike po vjen, jo ndryshe nga ai që përballoi Evropa në fund të vitit të kaluar.

Pothuajse pa u vënë re, kontratat e ardhshme rajonale të energjisë elektrike për fundin e vitit 2022 dhe, veçanërisht, për vitin 2023 janë rritur ndjeshëm gjatë javëve të fundit, duke paralajmëruar rritje të mëtejshme të faturave të shërbimeve. Në disa raste, kontratat e ardhshme kanë vendosur nivele rekord, duke u rritur me rreth 40% gjatë dy muajve të fundit.

Çmimet e energjisë elektrike u rritën në dhjetor dhe përsëri në fund të shkurtit për disa ditë. Që atëherë, çmimet e përditshme kanë rënë përsëri. Megjithatë rnëia është mashtruese. Në energjinë elektrike, ajo që ka rëndësi janë mesataret kumulative. Mesatarja mujore po pikturon një pamje shqetësuese.

Deri më tani në maj, kontrata standarde gjermane e energjisë elektrike njëvjeçare ka qenë mesatarisht 222 euro (235 dollarë) për megavat orë, duke shkuar drejt nivelit të saj më të lartë mujor ndonjëherë, mbi rekordin e mëparshëm të vendosur dhjetorin e kaluar në 207 euro për megavat orë. Përpara vitit 2021, mesatarja më e lartë për të njëjtën kontratë standarde ishte 83 euro në korrik 2008.

Lufta në Ukrainë, e cila ka ngritur çmimet e gazit natyror dhe qymyrit, është shtytësi kryesor i kësaj krize. Është përkeqësuar gjithashtu nga prodhimi i ulët i energjisë bërthamore në Francë.

‘Electricite de France SA’ në pronësi shtetërore kohët e fundit e uli udhëzimin e saj të prodhimit bërthamor për vitin 2022 në më pak se 300 teravat orë, më shumë se 30% më pak nga ajo që prodhonte një dhjetëvjeçar më parë.

Ndërmarrjet evropiane blejnë energji elektrike muaj përpara në tregun e shitjes me shumicë për të rregulluar kostot për klientët e tyre.

Rritjet e tanishme të çmimeve në kontratën e ardhshme po sjellin efektivisht rritje të konsiderueshme të shitjes me pakicë për vitin e ardhshëm. Rritja do të jetë e ngjashme me ato të vjeshtës së kaluar, kur faturat e energjisë elektrike u bënë një ‘patate e nxehtë’ politike nga Spanja në Britani.

Edhe një herë, rritjet mund t’i detyrojnë qeveritë të shpenzojnë miliarda dollarë për të zbutur ndikimin, nëpërmjet subvencioneve dhe lehtësimit të taksave. Problemi tani është se rritja e faturave të shërbimeve do vinte në krye të shqetësimit të përhapur mbi koston e jetesës, duke sforcuar më tej buxhetet e familjeve.

Kjo është më shumë telashe përpara për Bankën Qendrore Evropiane dhe Bankën e Anglisë, të cilat tashmë po luftojnë me inflacionin e lartë prej disa dekadash. Nëse goditja e naftës shkaktoi një valë inflacioni, goditja e energjisë elektrike do e ngrejë më tej valën inflacioniste.

Me naftën, çmimet spot në treg do bëjnë që çmimet e pikave të karburantit të luhaten në baza ditore. Me energjinë elektrike, ndërrimet shfaqen çdo muaj – dhe do të jenë veçanërisht dramatike në të ardhmen.

Në Mbretërinë e Bashkuar, për shembull, çmimi maksimal i shërbimeve komunale që mund të ngarkojnë familjet për energjinë e tyre – i njohur gjerësisht si kufiri i çmimit – aktualisht rillogaritet dy herë në vit.

Për shkak se çmimet e fundit të vitit 2022 dhe fillimit të 2023 janë tregtuar në nivele të larta për disa javë tashmë, kufiri është vendosur të rritet ndjeshëm.

Cornwall Insight vlerëson se tarifa e energjisë elektrike dhe gazit ka të ngjarë të rritet në 2,595 stërlina (3,238 dollarë) në vit deri në tetor, më shumë se 30% nga 1,971 stërlina që është tani. Në fillim të këtij viti, e njëjta tarifë u rrit me 54% përpara se qeveria të ndërhynte për të zbutur goditjen.

Tendencat janë të ngjashme në vendet e tjera. Ndërmarrjet komunale gjermane dhe blerësit e mëdhenj të energjisë elektrike tani po tregtojnë energjinë për furnizim gjatë gjithë vitit 2023 me më shumë se 200 euro për megavat orë, një rekord i lartë për vitin. Për ta vënë atë në perspektivë, çmimet e ardhshme në vitin 2019 lëviznin rreth 50 euro.

Çmimet e ardhshme të energjisë elektrike franceze 2023 javën e kaluar u rritën në më shumë se 300 euro për megavat orë, një rekord për kontratën. Në janar, e njëjta kontratë tregtohej për më pak se 130 euro për megavat orë.

Ndikimi i këtyre rritjeve nuk do të jetë i dukshëm në çmimet me pakicë deri në fund të këtij viti. Por kur tregu i energjisë elektrike të arrijë valën e lartë në fund të 2022 dhe në fillim të 2023, ndikimi te familjet dhe bizneset e vogla do të jetë i njëjtë; shumë do mbyten.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Bloomberg