Vendosni fjalën kyçe....

“Finlanda e Suedia s’mund të anëtarësohen në NATO derisa të zgjidhen shqetësimet e Turqisë” – Ankaraja


Pas bisedimeve në Ankara të mërkurën, zëdhënësi i qeverisë turke Ibrahim Kalin u tha gazetarëve se qeveria e tij nuk do i lejojë Finlandën dhe Suedinë të hyjnë në aleancën e NATO-s derisa të përmbushen shqetësimet konkrete të sigurisë së Turqisë në lidhje me terrorizmin dhe sanksionet. Kalin shtoi se Ankaraja nuk do nxitojë për një marrëveshje përpara takimit të ardhshëm të NATO-s.

Delegacionet nga Suedia dhe Finlanda u takuan me homologët e tyre turq në Ankara për pesë orë bisedime pas aplikimeve të tyre të përbashkëta për t’u bashkuar me aleancën ushtarake të NATO-s javën e kaluar. Pranimi i tyre kërkon pëlqimin njëzëri të të 30 vendeve anëtare dhe Turqia ka kërcënuar të bllokojë procesin nëse të dy vendet nuk godasin grupet që ajo i konsideron terroriste.

“Pa përmbushur shqetësimet e sigurisë të Turqisë, çdo proces për zgjerimin e NATO-s nuk mund të vazhdojë. NATO është një organizatë sigurie.” – tha Kalin në një konferencë për shtyp pas bisedimeve, duke shtuar se kjo do të thotë se aleanca duhet të sigurojë që ‘shqetësimet e sigurisë të shteteve anëtare të përmbushen në mënyrë të barabartë dhe të drejtë’.

Turqia ka kërkuar që Suedia dhe Finlanda të heqin kufizimet e eksportit të armëve ndaj Turqisë dhe të ekstradojnë persona të lidhur me Partinë e Punëtorëve të Kurdistanit (PKK) dhe lëvizjen Gulen (FETO). Ndërsa Suedia dhe Finlanda të dyja e konsiderojnë PKK-në një organizatë terroriste, Turqia gjithashtu ka kërkuar që ato të përdorin të njëjtin emërtim për YPG-në dhe PYD-në, përkatësisht grupet ushtarake dhe politike kurde në Siri.

Zyrtarët suedezë dhe finlandezë do kthehen tani në kryeqytetet e tyre për të diskutuar kërkesat e Turqisë, të cilat Kalin i përshkroi si ‘konkrete’. Udhëheqësit e NATO-s do takohen në Madrid, Spanjë, në fund të muajit të ardhshëm, por Kalin deklaroi se Turqia ‘nuk është nën presionin e kohës’ për të arritur një marrëveshje me Suedinë dhe Finlandën deri atëherë.

Suedia dhe Finlanda thirrën të dyja operacionin ushtarak të Rusisë në Ukrainë si motivim për t’u bashkuar me aleancën e NATO-s të udhëhequr nga SHBA. Ofertat e tyre për anëtarësim janë pritur ngrohtësisht në Uashington dhe nga krerët evropianë të NATO-s, me përjashtim të presidentit turk Erdogan dhe atij kroat Milanoviç, i cili ka kërcënuar se do të pengojë aplikimet e tyre nëse aleanca nuk trajton persekutimin ligjor të pretenduar të kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë.