Vendosni fjalën kyçe....

Pakistani nxjerr në rrugë ushtrinë kundër ish-kryeministrit


Qeveria e Pakistanit autorizoi ushtrinë të mbrojë selinë e saj në Islamabad në orët e para të së enjtes, pasi mijëra protestues besnikë të ish-kryeministrit Imran Khan dolën në rrugë.

Khan marshoi në kryeqytet të mërkurën për të kërkuar që ‘qeveria e importuar’ të thërrasë zgjedhje të parakohshme.

Ministri i Brendshëm Rana Sanaullah shkroi në Tëitter se ushtria do vendoset për të mbrojtur ‘ndërtesat e rëndësishme qeveritare’ sipas nenit 245 të Kushtetutës së Pakistanit.

“Ndër ndërtesat që do të mbrohen janë Gjykata e Lartë, Parlamenti, Shtëpia e Kryeministrit, Presidenca, Sekretariati i Pakistanit dhe ambasadat e huaja.” – tha ai në njoftim.

Katër ndërtesat e para janë të vendosura në afërsi të sheshit të qytetit të njohur zakonisht si D-Chowk, objektivi i Khan dhe ndjekësve të tij. Të mërkurën, ndërsa ishte ende 50 kilometra larg Islamabadit, kryeministri i rrëzuar u bëri thirrje mbështetësve të tij të mblidhen në D-Chowk dhe të mos e lirojnë sheshin derisa ‘qeveria e importuar’ të shpallë zgjedhje të reja.

Videot e postuara në rrjetet sociale nga partia e Khan PTI (Lëvizja Pakistani për Drejtësi) e tregonin atë në krye të një karvani me makina, duke hyrë në Islamabad e duke brohoritur nga turma.

“Populli pakistanez ka shpallur vendimin e tij.” – tha partia në një tjetër video.

Ndonëse një video tjetër e PTI-së tregoi disa oficerë policie që mirëpritnin karvanin e Khan, pati gjithashtu raportime se policia përdorte shkopinj dhe gaz lotsjellës kundër protestuesve.

Khan dukej i bindur se policia do i bashkohej kauzës së tij, sipas të përditshmes Daën, duke thënë se oficerët do e kuptojnë se karvani i tij ka të bëjë me ‘xhihadin dhe jo politikën’.

Ish-kryeministri u bëri thirrje të gjithë pakistanezëve të dalin në rrugë, duke thënë se prania e tyre do ‘dërgonte një mesazh në të gjithë Pakistanin se kombi e ka hedhur poshtë këtë qeveri të importuar’.

Ish-ylli i kriketit, i kthyer në politikan, u rrëzua në një votë mosbesimi në fillim të prillit dhe u zëvendësua me Shehbaz Sharif nga Liga Myslimane e Pakistanit (PLM-N). Ai është vëllai i ish-kryeministrit Nawaz Sharif, i cili ishte skualifikuar për akuza për korrupsion.

Khan sapo kishte përfunduar një sërë marrëveshjesh tregtare me Rusinë. Përpara votimit, ai sugjeroi fuqimisht se SHBA ishte fuqia e jashtme që donte që ai të largohej.