Vendosni fjalën kyçe....

Qeveria miraton garancinë sovrane 3 mld lekë për bizneset e ushqimeve të shportës


Qeveria shqiptare miratoi sot garancinë sovrane prej 3 miliard lekësh për të gjitha bizneset që tregtojnë mallrat e shportës, që do të duan të përfitojnë nga kjo kredi me garantues shtetin, me qëllim mbulimin e kapitalit qarkullues për lëndët dhe ushqimet bazë.

Linja e garancisë shtetërore do të lëshohet në favor të bankave tregtare, si më poshtë vijon:

– Banka Kombëtare Tregtare, sh.a.;
– Banka Credins, sh.a.;
– Banka Raiffeisen sh.a., Albania;
– Banka OTP Albania, sh.a.

Garancia sovrane për importuesit e produkteve të shportës do të bëhet me qëllimin që bizneset të rrisin rezervat, në mënyrë që të mos ketë mungesë të produktit si pasojë e luftës në Ukrainë, që do të sillte për rrjedhojë edhe një rritje stratosferike të çmimeve. Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë nuk janë saktësuar edhe kushtet që do të zbatojnë banka, por që garant do të jetë shteti.

Garancia sovrane për bizneset që tregojnë produktet e shportësu njoftua nga kryeministri Edi Rama në prill të këtij viti, ku saktësoi se nëse mallrat nuk do u shiten, stokun do ua blejë qeveria.