Vendosni fjalën kyçe....

Rama në QSUT: Do ndërhyjmë edhe te Fakulteti i Mjekësisë, tani do rrisim dhe pagat


Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një vizitë në ambientet e spitalit Infektiv në QSUT.

Ai ishte i shoqëruar nga ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Në Spitalin Infektiv në QSUT, ku po investojmë për rehabilitimin dhe zgjerimin e tij me kushtet e standardet më të mira të infrastrukturës, për të përmbushur planin tonë të përgjigjes për emergjencat shëndetësore dhe transformimin e këtij spitali në një strukturë të ekselencës për sëmundjet infektive.”– shkruan Rama ndërsa ndan me ndjekësit e tij në Facebook një video nga vizita e tij në QSUT.

Gjatë fjalës së tij, Rama premtoi se do ndërhyhej edhe në Fakultetin e mjekësisë, ndërsa u kujtoi mjekëve edhe rritjen e rrogave.

“Rëndësi ka që tani i kemi të mbyllura projektet. Duhet të shikojmë atë rrugën që ndan rrugën e korpusit nga lagjja, që të jetë i mbyllur me sistemin e sigurisë dhe besoj që nuk do ketë më gjera të reja për të bërë, vetëm mirëmbajtje dhe rritje kapaciteteve që nuk mbarojnë kurrë.

Duhet të bëjmë edhe një ndërhyrje tek fakulteti i mjekësisë, por është çështje tjetër kjo. Tani do rrisim edhe pagat. Në 1 korrik fillon, duam ta rrisim deri në 40 % dhe besoj do ta bëjmë, e kemi të planifikuar. Duhet dhe rrogat të shkojnë paralelisht me standardet.”- tha Rama.