Vendosni fjalën kyçe....

SHBA: Kriza ushqimore nuk lidhet me sanksionet


Pavarësisht se ka dhënë alarmin për rritjen e çmimeve globale të ushqimeve, SHBA-ja nuk ka ndërmend të heqë kufizimet ndaj tregtisë ruse.

Kështu tha të mërkurën zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Ned Price para gazetarëve.

Duke iu referuar pretendimeve të Moskës se sanksionet kanë penguar eksportet e ushqimeve dhe plehut duke sjellë këtë krizë, Price tha se kjo është një “gënjeshtër“.

“Ne sigurisht nuk do t’i heqim sanksionet tona në përgjigje të premtimeve boshe dhe ne kemi dëgjuar premtime boshe më parë nga Federata Ruse.“- tha Price kur u pyet nëse Uashingtoni do të hiqte dorë nga kufizimet siç sugjeron Moska, citon RT.

SHBA akuzoi Rusinë se ajo ka shkaktuar një rritje të çmimeve të ushqimeve duke vazhduar aksionin e saj ushtarak në Ukrainë. Vendet perëndimore i bënë thirrje Rusisë që të lehtësojë eksportin e grurit nga Ukraina, por Moska tha se situata ishte komplekse dhe jo aq e njëanshme siç pretendojnë vendet perëndimore.

Një nga komentet e fundit mbi këtë çështje erdhi nga zëvendësministri i Jashtëm rus Andrey Rudenko të mërkurën. Ai tha se zbutja e krizës ushqimore do të kërkonte “heqjen e sanksioneve të vendosura ndaj eksporteve dhe transaksioneve financiare ruse” si dhe “heqjen e minave detare nga të gjitha portet e Ukrainës”.

Price e hodhi poshtë këtë deklaratë dhe të tjerat e bëra nga zyrtarët rusë si një seri “gënjeshtrash” dhe “dezinformimesh“.

“Sanksionet e SHBA-së nuk po shkaktojnë ndërprerje në eksportet bujqësore të Rusisë. Fakti është se sanksionet e SHBA-së janë krijuar posaçërisht për të lejuar eksportin e mallrave bujqësore dhe plehrave nga Rusia.”– tha ai.