Vendosni fjalën kyçe....

“Skema mafioze” në drejtësinë e re


Nga Basir Çollaku

Skemë mafioze!

KLP blindon Çelën, po heq prokurorin që heton komisionerin Ballhysa?!

Dy ngjarje të rënda thellësisht dhe hapur të padrejta, me sfond politik radikal, njëherësh me dyshime ekstra institucionale, po ndodhin në Prokurorinë e Përgjithashme, atë të Tiranës dhe Prokurorinë Speciale.

Ti marrim me rradhë.

Së pari

Emërimi i paralajmëruar i Arens Çelës si drejtues akuzës së Tiranës, në kohën kur ende bëhej vetting, ish-prokurores Elisabeta Imeraj dhe nuk kishte një vendim përfundimtar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit.

Së dyti

Prishja e garës së zhvilluar nga KLP, për përzgjedhjen e dy prokurorëve në Prokurorinë Speciale, konkretisht atë të Elvin Gokajt dhe Alfred Shehut

Ka mjaft të ndodhura pas perdes. Ta nisim nga e para.

Këshilli i Lartë i Prokuroisë, duket se po hedh hapat sipas parashikimeve jo tërësisht të panjohura. Ditën e shkarkimit të Imerajt, nxori vendimin për komandimin e Çelës në vend të saj dhe më pas vjen gara për emërimin. Asgjë e re nga fronti i drejtësisë. Regjia politike dhe ajo e dyshimtë, funksionon bashkërisht për të mundësuar postëzënien në krye të Prokurorisë, sipas premtimeve dhe jo garimeve.

Nga KLP, ishte bërë njoftim se ditën e sotme do të kishte seancë për të shqyrtuar kandidaturat pretenduese të drejtuesit të prokurorisë së Tiranës. Dy emra prokurorësh. Kreshnik Ajazi dhe Arens Çela. Si ndodh në tender. I gjendet firmës jo të pëlqyer një marifet dhe skuaklifikohet, mbase dhe me dashje e dijeni të pathënë publikisht. Kreshnik Ajazi, është skualifikuar nga KLP, e cila ka marrë vendim. Duke e cilësuar të papërshtatshëm aplikimin e tij në garë, sepse është prokuror i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së parë Elbasan. Në asnjë referencë ligjore të drejtësisë së re, ky arnim ligjor nuk përmendet, as nga Këshilli nuk thuhet në detaje teknike të saktësim sqarimit. Garnitura tjetër sa servile, aq e pambështetur në ligj, është dhe prania me ftesë të KLP të përfaqësuesve të Ministrisë së Drejtësisë, OPDAT dhe Prokurorit të Përgjithshëm, ky i fundit në konflikt të dukshëm interesi, se po merrte pjesë në zgjedhjen e vartësit të tij. Madje nga asistentët e OPDAT, duket se janë çift bashkëshortësh në mbikqyrje, tërësisht të panevojshëm ligjërisht. Ajazi i skualifikuar nga një arsye e pambështetur në ligj, mundet të dërgojë ankimin e tij në Gjykatë për këtë vendimmarrje të Këshillit të Prokurorisë, dhe të rikhthehet gara e Tiranës, e cila po mbyllet me nxitim të të interesuarve anonimë. Por Ajazi di të bindet, sepse ka dhënë prova.

Së dyti

Garë e pavlefshme në Këshillin e Lartë të Prokurorisë për dy prokurorët e zgjedhur fitues për të qenë prokurorë të prokurorisë së Posaçme, Alfred Shehu dhe Elvin Gokaj. Pak ditë më parë Gjykata e Apelit Administrativ ka pranuar kërkesën e prokurores së Tiranës, Sonila Muhametaj, për rishikimin e garës së emërimeve në SPAK. Prokurorja paditi Këshillin e Lartë të Prokurorisë duke kërkuar pavlefshmëri dhe shpallje nul të emërimit të Elvin Gokaj dhe Alfred Shehut, pasi sipas saj, pikëzimi është dhënë pa meritë. Argumentet që bindën gjykatën paraqitur nga Muahmeti ishin përqëndruar në faktet se Elvin Gjokaj dhe Alfred Shehu e fituan garën nën preferenca të qëllimshme, ku njëri ishte sipas saj i paaftë, konstatim ky në vetting, pasi për të pati rikthim te Magjistratura. Dhe tjetri, nuk ka hetuar dosjen e vrasjes elektorale në Elbasan. KLP mbron vendimet e saj duke theksuar se nuk ka konflikte, procedura dhe pikëzimi kanë qenë korrekt madje ndërkombëtarët mbikqyrës të procesit nuk kanë bërë kontestime.

Por ku fle lepuri?

Në fakt aty ka një stan me lepuj. Prokurorja Muhametaj si ankuese mund të ketë plotësisht të drejtë në pretendimet e saj. Vendimi është marrë nga tre gjyqtarët Altina Nasufi kryesuese dhe anëtarë të trupës Blerona Hasa dhe Rilinda Selimi, njëra ende në proces rivlerësimi.

Por ka një fakt të padalë dhe të papëmendur, të cilin mirë do të ishte të theksohej diku në seancën gjyqësore. Sepse ka peshë ndikuese në këto zhvillime. Elvin Gjokaj është një ndër 17 prokurorët në Prokurorinë e Posaçme. Ka pasur një referim në Prokurori për komisionerin publik Florjan Ballhysa, për deklarime pagesash taksash të cilat kërkojnë një filtër hetimor. Një tjetër anëtar i trupës së Komisionit të Pavarur të Kualifikimit është në hetim për deklarime të pasakta rreth pasurisë. Kontrollorët në vetting, janë gjendur përballë telasheve që duhen hetuar. Kjo ka sjellë një reaksion të kombëtarëve dhe ndërkombëtarëve pjesë të trupave vettuese, njëkohësisht të politikës mbështetëse. Kontrollorët politikë u gjendën zbuluar. Prokurori Elvin Gjokaj, pasi ka shqyrtuar materialet referuese, ka vendosur regjistrim të procedimit penal në ngarkim të Florjan Ballhysës dhe ai duhet të përballet me SPAK për pretendimet në adresë të tij. Prokurori ka vendosur të bëjë detyrën, duke mos u ndikuar nga trysnia e madhe mbi të, për të anashkaluar këtë dosje me temperaturë dhe interes ekstraligjor. Tani për t’ia hequr nga duart Gjokajt dosjen nuk gjenden mundësi vetëm të hiqet nga zyra Prokurori. Skemat janë gjithnjë një mundësi. Rihapja e garës, pas vendimit të Apelit Adminsitrativ, është më e besueshmja, së paku publikisht. Kjo nuk e bën të padrejtë pretendimin e Muhametajt. Në garë mund të rihyjnë jo vetëm tre prokurorët, Elvin Gjokaj, Alfred Shehu, Sonila Muhametaj, por edhe shumë të tjerë. Pastaj pikëzimet në Këshillin e e Lartë të Prokurorisë, mund të riformatohen dhe të jenë një antistres për Ballhysën dhe çështjen në ngarkim të tij. Sepse mund të gjendet ilaçi në renditje, për të dërguar emra të tjerë fitues në SPAK.

Pyetja është, a do të mbetet në këmbë procedimi penal ndaj Ballhysës edhe nëse ndodhin përmbysje në pikëzimet e pritshme?! Drejtësia e re u plak, pa konsumuar aspak rini…