Ministri i Brendshëm Çuçi ka shkruar sot se dje u shkrua historia në Tiranë.
Në një shënim në rrjetet sociale, ai thekson se finalja e Conference League shkoi më së miri dhe se Shqipëria tregoi në sytë e mbarë botës se i ka të gjitha aftësitë për të organizuar e administruar të tilla veprimtari.
Çuçi nuk harron të falënderojë edhe efektivët e policisë për punën e bërë gjatë ditëve të qëndrimit të tifozëve holandezë e italianë në Tiranë.
“Historia u shkrua në Tiranë. Finalja e madhe shkoi më së miri dhe Shqipëria demonstroi në sytë e mbarë botës që i ka të gjitha kapacitetet për të mirëpritur e menaxhuar një event të përmasave të tilla. Një falënderim të veçantë kam për punonjësit e Policisë së Shtetit, që falë profesionalizmit dhe përkushtimit të tyre të jashtëzakonshëm garantuan mbarëvajtjen e gjithçkaje: nga mbërritja e mijëra tifozëve në pikat kufitare, shoqërimi i tyre drejt stadiumit, grumbullimet në zonat e dedikuara dhe deri te përcjellja për t’u rikthyer sërish në vendet e tyre. Çfarë ndodhi dje ishte një ushtrim kuptimplotë i angazhimit tuaj të përbashkët si asnjëherë më parë për të cilin keni mirënjohjen e pakufishme të të gjithëve.” – shkruan Çuçi.
Ndeshja Roma-Feyenoord ishte e para finale ndërkombëtare që u luajt në Shqipëri. Gjatë ditëve të qëndrimit në Tiranë të tifozëve, pati disa episode dhune gjatë të cilave u lënduan dhjetëra efektivë policie.
Po kështu tifozët kanë bërë xhiron e rrjeteve sociale për sa i përket urinimit nëpër rrugë të ndryshme të kryeqytetit.