Deputetja e PD-së Albana Vokshi në emisionin “Frontline” foli lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit, dhe deklaratën e sotme të bërë nga Enkelejd Alibeajt që tha se është detyrim i opozitës që të mos bojkotojë procesin.
Vokshi u shpreh se nuk ka pasur mbledhje të Grupit Parlamentar të PD dhe se ai nuk ka asnjë tagër për ta mbledhur.
“Nuk ka pasur mbledhje të Grupit Parlamentar, nuk është thirrur, se di me ca tagri ende e thërret Alibeaj, por është kryesia që duhet ta thërrasë mbledhjen, Alibeaj mund të flasë në emrin e tij, e njeh vetëm vetja e vet, Balla dhe Rama. Nëse flet në emrin e tyre le të dalë dhe të flasë, por nuk flet në emrin tim, as të grupit parlamentar, ne nuk e njohim atë. Është e qartë! Sot, dje, pardje, nuk është mbledhur grupi parlamentar, por edhe sikur të mblidhej, nuk vendos për vijën politike të PD dhe procedura e presidentit kërkon vullnetin e partive politike. Janë forume drejtuese të PD që përcaktojnë vijën politike. Alibeaj nuk përfaqëson demokratët, demokratët në 22 maj dolën dhe votuan për kryetar Sali Berishën”- u shpreh Vokshi.