Vendosni fjalën kyçe....

Aksionerët padisin Elon Musk dhe Twitter-in për “marrëveshjen kaotike”


Një investitor në “Twitter” po padit Elon Musk dhe platformën e mediave sociale për mënyrën se si e ka trajtuar ofertën e miliarderit prej 44 miliardë dollarësh.

Përmes kësaj padie, investitori që vepron në emër të grupit pretendon se Musk ka shkelur ligjet e korporatave të Kalifornisë në një sërë mënyrash.

Siç shkruan BBC, ai akuzon shefin e Tesla-s për “sjellje të gabuar” pasi “deklaratat e tij të rreme dhe manipulimi i tregut kanë krijuar “kaos” në selinë e Twitter-it në San Francisko.

Aksionet e Twitter-it janë rreth 27% më të ulëta se çmimi i ofertës prej 54.20 dollarësh të zotit Musk. Padia u depozitua këtë javë nga investitori William Heresniak, i cili tha se po vepronte “në emër të tij dhe të gjithë të tjerëve që ndodheshin në mënyrë të ngjashme”.

Një padi në grup është një padi që është ngritur ose mbrohet nga një individ që vepron në emër të një grupi njerëzish.

Padia pretendonte se Musk përfitoi financiarisht duke vonuar zbulimin e aksioneve të tij të rëndësishme në Twitter dhe planin e tij për t’u bërë anëtar bordi i kompanisë.

Ai pohoi gjithashtu se disa postime në Twitter të Musk, i cili ka më shumë se 95 milionë ndjekës, ishin “mashtruese”. Këtu përfshihet dhe postimi kur Musk tha se ka vendosur të lërë në pritje ofertën e tij për marrjen e firmës për shkak të dyshimeve mbi numrin e llogarive false në platformë.

Në padi thuhej se postimi i 13 majit “përbënte një përpjekje për të manipuluar tregun për aksionet e Twitter-it pasi ai dinte për llogaritë e rreme”.
Ai tha gjithashtu se Musk “dyfishoi” akuzat e tij katër ditë më vonë, duke deklaruar në Twitter se marrëveshja “nuk mund të shkojë përpara”.

Frank Bottini, i cili është një nga avokatët që përfaqëson investitorët në Twitter, i tha BBC-së se padia u ngrit pasi Musk “vazhdon të përçmojë kompaninë që dëshiron të blejë për 44 miliardë dollarë në një përpjekje për të rinegociuar çmimin e blerjes.”

Analistët kanë spekuluar se Musk mund të jetë duke kërkuar mënyra për të ulur ofertën e tij të blerjes së kompanisë, ose për t’u larguar nga marrëveshja. Musk ka lënë të kuptohet gjithashtu se ai mund të kërkojë të paguajë më pak për Twitter-in sesa 44 miliardë dollarët e rënë dakord me bordin e kompanisë në mars.