Ish-deputeti i PD-së i cili ka qenë i zgjedhur në zonën e Beratit, Astrit Veliaj, largohet nga politika aktive.
Mes politikës dhe biznesit, Veliaj tregon se ka vendosur të fokusohet tek kjo e dyta.
“Sot dua të ndaj me ju vendimin tim për tu larguar nga politika aktive. Rendja në dy fusha me logjikë funksionimi të ndryshme nuk është produktive. I kthehem tërësisht biznesit me bindjen se kontributi në ekonomi është politika më e mirë.”– shkruan Veliaj.
Mes rreshtash, Veliaj shprehet se “nuk ka si gjumi mbas punëve të ngritura me pastërti”. Kjo sipas tij i jep njeriut lumturi dhe vendit çlirim energjish.
KOMENTI I PLOTË
BIZNESI I NDERSHËM ËSHTË POLITIKA MË E MIRË
Të nderuar miq!
Sot dua të ndaj me ju vendimin tim për tu larguar nga politika aktive. Rendja në dy fusha me logjikë funksionimi të ndryshme nuk është produktive. I kthehem tërësisht biznesit me bindjen se kontributi në ekonomi është politika më e mirë. Fundja njeriu duhet të investojë mëndjen dhe energjinë atje ku ndjen se mund të bëjë diferencën, të sjelli ndryshimin që i nevojitetet shoqërisë dhe të krijojë një model të denjë për tu ndjekur.
Sot jemi përpara një momenti kritik, të abandonimit masiv të vendit nga rinia dhe profesionistët më të mirë. Të gjithë duhet të bëjmë diçka të ndalim këtë trend që cënon qënësinë tonë si shoqëri. Si njeri që në mënyrë modeste ka hapur mijëra vende pune dhe ka sjellë në Shqipëri qindra mësimdhënës të huaj të edukojnë fëmijët shqiptarë, besoj se mund të bëjmë më shumë për atdheun tonë. Me qëllime të qarta, sipërmarrje të guximshme dhe projekte me rezonancë ndërkombëtare, ky vend mund të bëhet i dashur jo vetëm për shqiptarët, por edhe për perëndimorët. E rëndësishme të ndërtojmë vendin e zotësisë, të ndershmërisë, të modelit që çmon, promovon dhe mbështet punët e më të mirëve. Ne duhet të bëhemi një komb gjithpërfshirës, me ndergjegje dhe karakter të spikatur që synon ekselencën e si familje e bashkuar punon për suksesin e secilit dhe të gjithëve bashkë. Një vend që punon vetëm për disa nuk ka të ardhme.
Në mbi 30 vite në botën e biznesit kam ndërtuar institucione private me dobishmëri publike, jam përpjekur të investoj në qytete historike ku ndjehej braktisja masive, jam përfishirë në aktivitete publike pa u përlyer kurrë me paranë e shtetit dhe kjo më ka dhënë kënaqësi dhe disa leksione jete. Dikur thuhej se qyteti të fal lirinë. Sot lirinë ta fal biznesi dhe të mirat e vëna me ndershmëri. Nuk ka si gjumi mbas punëve të ngritura me pastërti. Kjo i jep njeriut lumturi dhe vendit çlirim energjish. Kam bindjen se ne duhet të zgjedhim këtë rrugë të veshtirë të shqiptarit me integritet, të punës me sakrifica, duke gjetur forcën tek sfera e sipërmarrjes së lirë, pa futur kurrë duart në financat publike, duke mos e ngatërruar investimin pur të biznesit shqiptar me punët e tenderave dhe koncesioneve korruptive. Kjo duhet të kthehet dominuese në çdo fushë, sidomos në politikë.
Besoj se e ardhmja do të jetë një fjalë më me peshë e botës civile dhe sipërmarrëse në drejtimin e vendit. Politika bëhet më e mirë kur përfshin mendësinë e privates në modelimin e pushtetit dhe hapësirës publike. Mendësia e atyre që hapin vende pune dhe rrisin prodhimin kombëtar vlen më shumë se retorika që nuk sjellë vlerë të shtuar në ekonominë reale. Më shumë do ishte bërë sikur politika të kishte një përvojë në investimet private, të ishte e prirur nga rezultatet se sa nga lojërat e pushtetit, të drejtohej nga nevojat e njerëzve se sa nga dëshira për kontroll të tepërt të jetës së vendit. Për këtë ndryshim në mendësi, secili në profesion të tij duhet të ketë një ndikim, t’i kthejmë njerëzve shpresën se ky vend mund të bëhet si në Perëndim.