Vendosni fjalën kyçe....

Lavrov: Perëndimi i ka shpallur luftë totale botës ruse


Konfrontimi midis kombeve perëndimore dhe Rusisë përbën “luftë totale“. Kështu tha të premten ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov gjatë një takimi me krerët e rajoneve ruse.

Sipas tij, shoqëria ruse dhe forcat kryesore politike mbështesin vendimin e qeverisë për të përballuar “këtë sfidë”.

“Ata po dyfishojnë, trefishojnë dhe katërfishojnë përpjekjet e tyre për të penguar kombin tonë. Ata përdorin një gamë të gjerë mjetesh, nga sanksionet ekonomike të njëanshme deri te propaganda totalisht mashtruese në median globale.”– tha Lavrov duke iu referuar kombeve perëndimore.

Ai vuri në dukje se “rusofobia e nivelit të ulët, e cila për keqardhjen tonë më të thellë promovohet nga një numër qeverish, është rritur në nivel të paprecedentë.”

“Perëndimi ka shpallur luftë totale kundër nesh, kundër gjithë botës ruse. Askush nuk e fsheh këtë fakt tani.”- tha Lavrov, citon RT.

Ai shton se “Kultura e anullimit” që synon gjithçka që lidhet me kombin rus është bërë absurde.

Rusia iu përgjigj presionit me një bashkim të “të gjitha forcave të shëndosha patriotike” dhe një rritje të mbështetjes publike për politikën e jashtme të Rusisë, tha ministri i Jashtëm.

Lavrov gjithashtu vuri në dukje se kriza ka ekspozuar natyrën e vërtetë të premtimeve të dhëna Rusisë 30 vjet më parë, pas rënies së BRSS.

“Tani shohim vlerën e të gjitha bisedave për vlerat universale dhe nevojën për ta kthyer Evropën në një shtëpi të përbashkët nga Atlantiku në Paqësor. Askush nuk duhet të ketë iluzione për qëndrimin e SHBA-së dhe aleatëve të saj ndaj Rusisë.”- shtoi ai.

Diplomati i lartë po fliste në një takim të një këshilli të Ministrisë së Jashtme që përfshin të gjithë krerët rajonalë rusë si anëtarë.