Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Enkelejd Alibeaj ka reaguar pas deklaratave të kreut të PD-së, Sali Berisha.
Alibeaj duke folur në emër të PD-së tha se Berisha po mbron bandat e Elbasanit, sepse i përdori kundër demokratëve në tentativën e tij për të marrë peng PD.
“PD dënon me forcë përdorimin e një ngjarje të rëndë për interesa të Sali Berishës.
Është e pafalshme të shohësh se si Sali Berisha mbron bandat e Elbasanit edhe pse ai tashmë është peng i tyre, sepse i përdori kundër demokratëve në tentativën e tij për të marrë peng PD.
Për hallin e tij, Sali Berisha bëri koalicion edhe me Aqif Rakipin, Tom Doshin dhe Vangjush Dakon. Këtë e dinë gjithë demokratët dhe gjithë qytetarët e Shkodrës, Elbasanit dhe Durrësit. Për hallin e tij, Sali Berisha kërkon të shkatërrojë PD-në dhe ta izolojë atë nga çdo partner ndërkombëtar.
Siç po shihet çdo ditë në këtë sipërmarrje, ai ka partner kryesor Edi Ramën.
Mjafton të shikoni sot vendimin e Komisionit të Ligjeve, për të kuptuar se si Edi Rama është aleati i Sali Berishës. Ata kanë halle të përbashkëta dhe për hallet e tyre duan të bëjnë kurban PD-në.”- shkruan Alibeaj.
Më herët Berisha e quajti Alibeajn “një sharlatan që i shërben Ramës”.