Vendosni fjalën kyçe....

Vulin revoltohet nga deklarata e kryebashkiakut ukrainas: Nëse ti pretendon se shqiptarët hoqën qafe Serbinë, atëherë rusët në Donbas janë të pushtuar


Ministri serb Alexander Vulin ka reaguar pas deklaratës së ish-boksierit ukrainas dhe kryebashkiakut aktual të Kievit Vitali Klitschko i cili tha se “ukrainasit po luftojnë kundër regjimit rus që po përpiqet të pushtojë vendin e tyre, siç luftonin shqiptarët kundër okupatorit serb”.

Kjo deklaratë nuk është pritur mirë në Serbi, ku Kosovën e konsiderojnë ende si pjesë të tyre.

“Nëse Klitschko do të dinte diçka për historinë, ai do ta dinte se Kosova dhe Metohia është pjesë e Serbisë dhe se nuk është e mundur të pushtojë vendin e tij.”– tha Vulin sipas RTS.

Ministri serb tha se nëse Klitschko pretendon se shqiptarët u pushtuan dhe se ata e hoqën qafe Serbinë dhe “pushtuesin serb” me rebelim të armatosur, atëherë edhe rusët në Donbas janë “të pushtuar dhe kanë të drejtë të shpëtojnë nga pushtuesi ukrainas”.

Sipas Vulinit, atë që Klitschko ua pranon shqiptarëve në Serbi, do të duhet t’ua pranojë edhe rusëve në Ukrainë.

“Ata që betohen për parimin e paprekshmërisë së integritetit territorial, fillimisht duhet ta dëshmojnë bindjen e tyre në Serbi.

Serbia ka dëshmuar se respekton të drejtën ndërkombëtare, është për të ardhur keq që të tjerët nuk mund ta thonë këtë për veten e tyre.”- përfundoi Vulin.