Vendosni fjalën kyçe....

“Dhuna e policisë në Gjermani problem serioz, nuk është raportuar e trajtuar si duhet”


Brutaliteti i policisë ka qenë një problem serioz në Gjermani, por shumë raste nuk raportohen ose nuk hetohen apo ndëshkohen siç duhet, sipas ekspertëve.

Statistikat zyrtare, të publikuara çdo vit nga Zyra Federale e Policisë Kriminale (BKA), ofrojnë vetëm informacion të kufizuar. Tani për tani llogaritet se ka 1500 deri në 2000 raste të dhunës policore në vend.

Megjithatë, numri i rasteve të paraportuara ka të ngjarë të jetë shumë më i lartë dhe mund të jetë edhe pesë herë më shumë se të dhënat zyrtare, sipas hulumtimit të fundit të kryer nga institucionet e pavarura.

Një ish-oficer policie dhe ekspert sigurie, Stefan Schubert, tha për Anadolu Agency se shumë viktima përballen me vështirësi për të raportuar incidente të tilla, ose nuk u besojnë autoriteteve.

“Numri i rasteve të pa raportuara është i lartë në çdo fushë të krimit. Gjithnjë e më pak po raportohen, sepse edhe qytetarët kanë vërejtur se kallëzimi i tyre është pak i dobishëm, se prokuroritë publike punojnë pak, janë të mbingarkuara dhe nuk thirren fare si dëshmitarë.” – tha ai.

“Në rastin e dhunës policore, situata rëndohet nga fakti se një qytetar zakonisht gjendet në një situatë ku përfshihet një grup i tërë policësh – tre, katër, pesë policë.” – tha ai.

“Dhe atëherë viktima është vetëm, ose me një shoqërues. Dhe kjo është, sigurisht, kur bëhet fjalë për dëshminë kundër dëshmisë, është gjithmonë një pozicion shumë i keq. Dhe mendoj se kjo i shkurajon shumë njerëz që të raportojnë këto gjëra.” – shtoi ai.

Dhuna racore

Sipas ekspertëve, migrantët, refugjatët dhe zezakët shpesh preken në mënyrë disproporcionale nga brutaliteti i policisë.

Bashkëthemeluesi i Fushatës për Viktimat e Dhunës Raciste Policore (KOP), Biplab Basu, i cili gjithashtu punon në qendrën e këshillimit ReachOut në Berlin, tha për Anadolu Agency se prokurorët gjermanë shpeshherë janë në anën e policisë kur viktimat raportojnë brutalitetin e policisë.

“Ky qëndrim ka qenë një faktor shkurajues për shumë njerëz.”

ReachOut këshillon viktimat e dhunës së djathtë, raciste dhe antisemite, si dhe viktimat e profilizimit racor dhe brutalitetit racist të policisë.

“Shumë pak nga migrantët dhe anëtarët e komunitetit të zi kanë besim te policia e drejtësia.” – tha ai, duke shtuar se ‘racizmi strukturor’ është shumë i shfrenuar brenda departamentit të policisë dhe brenda sistemit të drejtësisë penale.

Ai kritikoi gjithashtu qeverinë gjermane se nuk ka marrë asnjë masë serioze për të trajtuar problemin e brutalitetit policor në vend.

“Qeveria nuk po bën sa duhet. Mohimi i dhunës policore është një faktor pse njerëzit kanë humbur besimin në sistemin e drejtësisë… sistemin e drejtësisë penale.” –  theksoi ai.