Vendosni fjalën kyçe....

Oficeri i rrëzuar në humnerë, Policia jep detaje: U nxor pas 12 orësh, pritet transporti drejt Tiranës


Policia ka dhënë detaje për rrëzimin e oficerit të policisë në malet e Dukagjinit.

Pas më shumë se 12 orësh është nxjerr nga humnera ku kishte rënë një ditë më parë oficeri i policisë Rrok Frroku në një zonë malore të fshatit Shosh, Dukagjin.

Policia bën të ditur se nënkomisar Rrok Frrok, 54 vjeç, si pasojë e terrenit mjaft të thepisur, është rrëzuar dhe ka rënë në humnerë.

Shërbimet e Policisë dhe disa grupe të RENEA-s, në bashkëpunim me shërbimet mjekësore pranë Spitalit Rajonal Shkodër, nën drejtimin e Drejtorit të Policisë Shkodër, pas 12 orë përpjekjesh, kanë bërë të mundur nxjerrjen nga humnera të efektivit të Policisë, deri në një pikë ku mund të ulet helikopteri apo të bëhet tërheqja e tij me litarë, me qëllim transportimin  e tij drejt Tiranës, për ndihmë mjekësore.

Ekipi i urgjencës mjekësore i ka dhënë ndihmën e pare oficerit të Policisë dhe po e mban nën monitorim, së bashku me shërbimet policore, deri në mbërritjen e helikopterit, pasi transportimi i mëtejshëm nga shërbimet e Policisë, zjarrfikësit dhe shërbimet e urgjencës mjekësore është i pamundur, për shkak të terrenit shumë të vështirë.

Nga pika fundore e rrugës që shkon automjeti deri në vendin ku aktualisht ndodhet punonjësi i Policisë i dëmtuar, është 6 orë me këmbë dhe një terren shumë i vështirë që e bën të pamundur transportimin me krahë, të punonjësit të Policisë”, bën të ditur policia.