Kryebashkiaku i Tiranës Veliaj ka thënë mbrëmjen e sotme se Shqipëria e Tirana janë zhvilluar dhe kjo u treguar me organizimin e finales së Conference League, Roma-Feyenoord.
I ftuar në emisionin ‘Kjo Javë’ në News24, ai tha se Tirana doli se ishte më e pastër se Roma.
“Së pari doli ajo që parashikohej as nuk u anulua as nuk shkoi në Athinë apo Beograd. Kushdo që vë bast kundër Shqipërisë e ka të humbur. Ne do ecim përpara. U ndjeva mirë që tifozët ngelën të kënaqur. Besoj që nëse ne vetë nuk flasim mirë për vendin tonë, unë jam vetë kritiku më i madh, por a ka bërë ky vend progres? Ky vend nuk është perfekt por ka bërë progres. Tirana, policia doli faqebardhë. Policia ka gjurmuar në bashkëpunim me atë holandeze e romane tifozët që kishin blerë tela, thika, dara në markete. Merremi me majën e ajsbergut dhe nuk tregojmë mirënjohje. Tirana doli që ishte më e pastër se Roma.” – tha ai.
Veliaj shtoi më tej se Tirana tregoi se është kryeqytet europian dhe se qytetarët, pastruesit dhe policët treguan se ishin heronj.
“Ne e kemi vuajtur inferioritetin ndaj të huajve. Tani kemi një polici që nuk pyet se nga je por nëse bën gabime deportohesh. Rrugaçët e deportuar ishin çlirim nga kompleksi i inferioritetit. Me dinjitet dhe pa modesti, jemi kryeqytet europian. Kemi ngritur një stekë por duhet ta mbajmë. U vu re se kryeqyteti ishte i pastër edhe gjatë atyre 48 orëve, si ia dolët? Kemi një mori heronjsh që nuk veshin pelerina. Hero është çdo polic dhe shumë prej tyre, edhe në Roterdam pati 78 të arrestuar, më shumë pra edhe se në Tiranë. Dhuna që është monopol i policisë, shkopi i gomës, arrestimi, janë monopol i shtetit, fakti që kishim më shumë policë të dëmtuar, është që deri në fund policia ishte e rezervuar në përdorimin e dhunës. Edhe qytetarët ishin heronj. Pastruesit e Tiranës bënë një punë që unë i përulem. Qytetarët nuk gjetën një pikë pluhur dmth që arritëm nivelin e dinjitetit urban.” – shtoi kryebashkiaku i Tiranës.