Vendosni fjalën kyçe....

Çifti indian ndalohet në Rinas, po tentonin të kalonin me dokumente false


Policia Kufitare thotë se ka shtuar masat në hyrje-daljet e Republikës së Shqipërisë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Dhe si rezultat i këtyre masave të shtuara, janë vënë në pranga një çift nga India.

Sipas policisë, bashkëshortët me inicialet M. P., dhe P. P., (23 vjeç dhe 22 vjeçe), të cilët kishin për qëllim udhëtimin e tyre nga Shqipëria drejt Francës, kanë paraqitur, krahas pasaportave të tyre, edhe leje qëndrimi franceze. Por ka rezultuar se lejet e qëndrimit të paraqitura, ishin të falsifikuara.

Po ashtu është regjistruar edhe një rast tjetër i tentativës për mosdeklarimin e të hollave apo sendeve me vlerë, në kufi.

Njoftimi i plotë:

Policia Kufitare e Rinasit krahas përballimit me sukses të fluksit të shtetasve shqiptarë dhe të huaj, në hyrje-daljet e Republikës së Shqipërisë dhe krijimin e lehtësirave ligjore për ta, me qëllim eleminimin e vonesave gjatë përpunimit të dokumentacionit, ka intensifikuar kontrollet në drejtim të parandalimit dhe goditjes së paligjshmërisë.

Në këtë kuadër, gjatë përpunimit të dokumentacionit, në dalje, 2 shtetas indianë, M. P., 23 vjeç dhe P. P., 22 vjeçe (bashkëshortë), të cilët kishin për qëllim udhëtimin e tyre nga Shqipëria drejt Francës, kanë paraqitur, krahas pasaportave të tyre, edhe leje qëndrimi franceze. Pas verifikimit të këtyre dokumenteve ka rezultuar se lejet e qendrimit të paraqitura, ishin të falsifikuara.

Në përfundim të veprimeve, materialet proceduriale në ngarkim të këtyre shtetasve i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqesore Tiranë, për vepren penale “Falsifikimi i dokumenteve”, kryer në bashkëpunim.

Gjithashtu, po nga shërbimet e Policisë Kufitare Rinas është proceduar penalisht shtetasi H. P., 59 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave ose sendeve me vlerë”.

Shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në bazë të analizës së riskut, kaluan në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm të bagazheve, si dhe për kontroll fizik, 59-vjeçarin.

Gjatë kontrollit të bagazheve, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bizhuteri (unaza, varëse dhe sende të tjera) të padeklaruara në degën e Doganës Rinas.

Policia Kufitare e Rinasit, në bashkëpunim me autoritetet doganore të Rinasit, do të vijojë kontrollet e imtësishme, me qëllim parandalimin dhe goditjen e çdo paligjshmërie.