Vendosni fjalën kyçe....

Rusia paralajmëron SHBA-në për ‘pasojat për sigurinë globale’


Rreziku i përshkallëzimit të konfliktit në Ukrainë do të rritet ndjeshëm nëse SHBA-ja i siguron Kievit sisteme raketash me rreze të gjatë veprimi, paralajmëroi të premten ambasadori rus në SHBA, Anatoly Antonov. Më herët, disa media amerikane raportuan se administrata Biden u kishte dhënë dritën jeshile dërgesave.

Kur u pyet për koment mbi pretendimet, Antonov tha se akuzat duhet të verifikohen së pari dhe se deri më tani, asnjë njoftim zyrtar nuk është bërë nga zyrtarët e SHBA.

Ambasadori shprehu shpresën se ‘arsyeja e shëndoshë do mbizotërojë dhe Uashingtoni nuk do ndërmarrë një hap të tillë provokues’, duke shtuar se ai dhe kolegët e tij nga Ministria e Jashtme ruse kishin paralajmëruar vazhdimisht udhëheqjen amerikane se furnizimi i paprecedentë i armëve në Ukrainë ‘rrit ndjeshëm rrezikun e përshkallëzimit të konfliktit’.

Antonov tha se nëse raportet e mediave janë të vërteta dhe administrata Biden synon të dërgojë sistemet M270 MLRS dhe M142 HIMARS në Kiev, ushtria ukrainase do të kishte aftësinë për të goditur qytetet ruse – gjë që ai e përshkroi si të papranueshme për Moskën.

Duke i furnizuar Ukrainës më shumë armë, tha Antonov, SHBA-të do minonin perspektivat për paqe në vendin e Evropës Lindore. Ai vuri në dukje se Uashingtoni po përfshihet gjithnjë e më shumë në konflikt, i cili mund të ketë ‘pasoja të paparashikueshme për sigurinë globale’.

Zyrtari i bëri thirrje administratës Biden të ndalojë ‘praktikën e pakuptimtë dhe shumë të rrezikshme të pompimit të armëve’ në Ukrainë. Antonov gjithashtu u bëri thirrje zyrtarëve në Kiev dhe Uashington që të ‘pranojnë realitetin’, i cili mund të ndihmojë ‘të bëhet përparim në rrugën e zgjidhjes diplomatike’.

Vërejtjet e ambasadorit rus erdhën menjëherë pasi New York Times publikoi një raport, duke cituar zyrtarë të paidentifikuar amerikanë, duke thënë se administrata e Biden-it i kishte dhënë dritën jeshile dorëzimit të sistemeve të raketave me rreze të gjatë të prodhuar nga SHBA në Ukrainë. Gazeta tha se një njoftim mund të bëhet që në fillim të javës së ardhshme.