Vendosni fjalën kyçe....

Shkodra çel sezonin veror nga plazhi i Velipojës, kryebashkiaku Spahia tregon dy avantazhet kryesore


Bashkia e Shkodrës çeli sot zyrtarisht sezonin turistik veror duke garantuar kushte shumë të mira për pushuesit vendas dhe të huaj.

Sipas traditës së krijuar, Velipoja është plazhi ku përqendrohen aktivitetet për çeljen e sezonit veror. Bashkia e Shkodrës garanton pastërtinë e plazhit dhe ruajtjen e pastërtisë së detit, pastaj rëra kurative dhe mikpritja janë ana tjetër e medaljes që tërheqin mijëra e mijëra pushues çdo vit.

Këto cilësi e kanë kthyer Velipojën në plazhin më të preferuar e frekuentuar jo vetëm nga shkodranët, por edhe nga shqiptarë të Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Mali i Zi, si dhe turistëve të huaj nga vende të ndryshme të Europës.

Çelja zyrtare e sezonit u parapri nga një përgatitje intensive nga Bashkia e Shkodrës, me synim krijimin e kushteve optimale për pushuesit, të cilët në fakt, frekuentojnë Velipojën gjatë gjithë vitit.

Duke patur turizmin si një nga prioritetet kyçe për fuqizimin ekonomik të shkodranëve dhe punësimin e të rinjve, kryetari i Bashkisë së Shkodrës Bardh Spahia ka ndjekur vetë të gjitha përgatitjet e bashkisë për të përmirësuar shërbimet publike gjatë sezonit.

Kryebashkiaku Spahia vuri në dukje se pastërtia maksimale dhe hapësirat publike janë në vëmendjen kryesore të Bashkisë për të siguruar pushime sa më komode për turistët.

Bashkia e Shkodrës është kujdesur që Velipoja, me hapësirat publike, të kthehet në një plazh që ofron aktivitete sportive-argëtuese. Disa prek tyre u demonstruan edhe sot, së bashku me disa koncerte të organizuara nga Bashkia.

Shkodra është ndër të paktat bashki që, në pak kilometra katrorë, ofron turizmin detar, liqenor, lumor, malor, si dhe atë kulturor elitar, i përfaqësuar me disa muze në qytet, si  dhe pikat arkeologjike.

Velipoja, Thethi, Shiroka, Zogaj, Lumi i Shalës janë disa nga atraksionet turistike që janë të arritshme gjatë gjithë vitit, por veçanërisht në verë kthehen në pika të rëndësishme referimi për turizmin.