Vendosni fjalën kyçe....

Vasili: Qeveria ka përfituar 300 milionë  euro nga pazari me oligarkët për çmimet e karburanteve


Deputeti i LSI-së Vasili ka akuzuar qeverinë se ka grabitur mbi 300 milionë euro nëpërmjet Bordit të Transparencës që vendos çmimet e karburantit në vend prej muajsh tashmë.

Në një deklaratë për Syri TV, ai tha se teksa parlamenti kontrollohet krejtësisht nga shumica të cilët nuk kanë marrë për bazë asnjë nga propozimet e LSI-së për çmimet e karburantit.

Sipas Vasilit, qeveria ka marrëveshje me oligarkët e naftës nëpërmjet së cilës ka zhvatur mbi 300 milionë euro.

“Salla e Kuvendit tashmë urdhërohet nga mazhoranca, pra nuk funksionon më nga rregullat të cilat i vendosin deputetët në mënyrë të barabartë. Ne kemi propozuar dy projekt ligje, një për çmimin e karburanteve, heqjen e përkohshme të taksës së qarkullimit dhe të karbonit, për të ulur çmimin e karburantit për të tërë. Në vend të bordit të çmimeve që është një pazar mes qeverisë dhe oligarkëve që kontrollojnë tregun e karburanteve për të vendosur çmimet si të duan ata. Qeveria ka përfituar 300 milionë euro ndërkohë që çmimet nuk ulen aspak dhe me çmimet e rritura mbushen arkat e qeverisë dhe të oligarkëve. Është e qartë se ata kanë votat dhe mund të rrëzojnë gjithçka por kanë detyrë ta shqyrtojnë dhe ta bien në sallën e Kuvendit dhe ta votojnë dhe shqiptarët ta kuptojnë se çfarë bën qeveria dhe opozita. Bëjnë sikur nuk kuptojnë i harrojnë dhe dalin para shqiptarëve dhe krijojnë bordet e hajdutëve ndërkohë që nisma e opozitës shumë konkrete nuk e marrin në shqyrtim.” – tha ndër të tjera Vasili.