Vendosni fjalën kyçe....

Zgjedhja e presidentit të ri, opozita ka sot shansin e fundit për të propozuar emrin


Sot është shansi i fundit për opozitën për të propozuar emrin e kandidatit për President. Afati që opozita ka është deri në orën 16:00, nëse deri në këtë orar nuk del asnjë emër… kreu i ri i shtetit do të zgjidhet nga maxhoranca.

Kjo sepse raundi i tretë është i fundit ku duhen të paktën 84 vota për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit. Në raundin e katërt, socialistët kanë paralajmëruar se do t’i japin shqiptarëve një president, pasi i kanë 71 votat që i duhen.   

E për raundin e tretë, sipas vendimit të marrë në Konferencën e Kryetarëve, afati është deri në orën 16:00 për të dorëzuar emrat e kandidatëve, ndërsa nesër në mëngjes Komisioni i Ligjeve pritet të mblidhet për të administruar këto kandidatura në rast se do të ketë. Seanca parlamentare për votimin në raundin e tretë është caktuar të mbahet të hënën në orën 10:00. 

Kujtojmë se kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Enkelejd Alibeaj, vendosi që të mos propozojë asnjë kandidat në 2 raundet e para, pasi akuzoi maxhorancën se kishte prishur marrëveshjen për të cilën ishte rënë dakord në mbledhjen e parë të Konferencës së Kryetarëve.

Marrëveshja e propozuar nga Alibeaj ishte e tillë: Opozita propozon 4 kandidatura, të cilat diskutohen me maxhorancën, për të shkuar më pas te zgjedhja e vetëm 1 kandidati, i cili do të votohej në Kuvend.

Mirëpo, kreu i grupit socialist Taulant Balla tha se nuk e kanë pranuar një pikë të tillë dhe se një opozita nuk do i hiqte kurrë të drejtën maxhorancës që të propozonin një emër.

Përplasje ka patur edhe brenda vetë brenda opozitës. Kreu i PR-së Fatmir Mediu që ka këmbëngulur që opozita të japë një emër të përbashkët ose të mos ulët më në një tryezë të përbashkët.