Kreu i grupit parlamentar të PS-së ka deklaruar pas seancës në parlament për zgjedhjen e presidentit të ri se shumica nuk do e lërë vendin pa kreun e ri të shtetit.
Balla tha për gazetarët se PS-ja i qëndroi angazhimit për të pritur një propozim nga ana e opozitës në tre raundet e para.
Ai tha se është përgjegjësi e shumicës zgjedhja e presidentit të ri duke bërë me dije se PS-ja është e hapur të bisedojë me të gjitha palët e interesuara.
“E para siç e patë, i qëndruam angazhimit tonë për të pritur një propozim konkret nga opozita në 3 raundet e para. pas bisedave të zhvilluar anë raundin e 2-3, ne thamë se s’do të kishim një propozim tonin, me besimin se opozita do të ishte e angazhuar në këtë proces. Është përgjegjësi procesi dhe pjesëmarrja në proces. Nga ky moment natyrshëm nuk do e lëmë vendin pa president dhe do të propozojmë, por duke ndjekur parimet e një procesi, kur dëshira jonë është të dialogojmë me gjithkënd që do të ndajnë përgjegjësinë për zgjedhjen e kreut të shtetit.” – tha Balla.