Vendosni fjalën kyçe....

Balla ‘sulmon’ Berishën: ‘Katrani me bojë’ u përfshi në propozimin e Simon Mirakës, po e ndihmojmë atë të mos bëhet pis


Kreu i grupit parlamentar të PS-së Balla ka sulmuar ish-kryeministrin Berisha lidhur me emrin e kandidatit Simon Miraka për president të vendit.

Në një deklaratë për mediat jashtë parlamentit, ai tha se Miraka e ka të pamundur të marrë mbështetjen e PS-së në votim duke qenë se ‘është bërë pis nga katrani me bojë’.

“Më lejoni të sqaroj një element që u krijua një zhurmë apo stuhi në gotë lidhur me një procedurë të ndjekur nga Komisioni i Ligjeve. Sa i përket kandidaturës së zotit Simon Miraka. Ne kemi votuar zotin Miraka disa vite më parë kur ai është zgjedhur disa vite më parë. Ai garon për një mandat të dytë. Ne kemi konstatuar se në deputetët që kanë propozuar kandidaturën e tij është përfshirë ‘katrani me bojë’ dhe si i tillë e ka bërë pis emrin e tij. Për ne është e pamundur që zoti Miraka të marrë mbështetjen tonë në Kuvendin e Shqipërisë. Për sa kohë që në një dokument shfaqet firma e katranit me bojë nuk e pranojmë dot. Kështu që në këtë aspekt i kërkoj zotit Miraka që nëse vjen në një listë të re pa atë do ta konsiderojmë. Ne po ndihmojmë zotin Miraka që të mos bëhet pis.” – tha Balla.

Ai theksoi më tej se janë të gjitha mundësitë që presidenti i ri të zgjidhet me konsensus të gjerë në raundin e katërt duke ftuar të gjitha grupet parlamentare të bëhen pjesë e procesit.

“Ne do të vazhdojmë të diskutojmë me grupet parlamentare për të siguruar mbështetje sa më të gjerë. Nuk është e thënë që Presidenti i Republikës edhe në raundin e katërt të zgjidhet me mbi 84 vota. Gatishmëria jonë është aty për të siguruar mbështetje sa më të gjerë për kandidatin apo kandidaten për President.” – shtoi Balla.