Vendosni fjalën kyçe....

Berisha i del në mbrojtje Metës: Akt i ulët, Rama e paditi Presidentin tonë tek ministri grek


Ish-kryeministri Sali Berisha komentoi më herët gjatë seansës së sotme plenare, deklaratat e ministrit të Jashtëm grek Niko Dendias.

Ky i fundit tha pak ditë më parë në një intervistë se Presidenti Ilir Meta nuk i ka dhënë autorizimin kryeministrit Edi Rama për nisjen e negociatave me Greqinë për çështjen e detit.

Nga foltorja, Berisha tha se dënon me forcë këtë padi që kryeministri shqiptar i ngre Presidentit të Republikës në një ministri të huaj. Ai thotë se ky është një akt i ulët dhe se nuk mund t’i ankohesh një ministri të huaj, kur fillimisht nuk ke informuar publikun dhe qytetarët shqiptarë.

“Këto ditë u publikua intervista e ministrit të jashtëm të Greqisë në të cilin Nikos Dendias informon kombin e tij por gjithë botën se Rama a paditur tek ai Presidentin e Republikës. Unë do u lutesha qytetarëve shqiptarë ta arsyetojnë vetë këtë akt. Unë nuk e kam shumë të vështirë të vë shumë epitete, por po sqaroj qytetarët që Presidenti  që duhet të japë autorizimin për fillimin e negociatave për gjyqin në Hagë për çështjen e detit.

Edi Rama nuk i ka dërguar deri më sot asnjë kërkesë Presidentit për autorizimin. Një kryeministër që padit presidentin e vet, kur nuk i ka dërguar kërkesë, gjykojeni vetë çfarë mund të jetë.

Niko Dendias i ka përmend disa herë disa lidhje e errëta në Korfuz. Unë nuk i di ato.

Paditja e presidentit përbën një akt që e denoncoj me forcën më të madhe. A mund të ecet me një njeri i cili fut thika mashtron paskrupull. Nëse presidenti i republikës nuk do të firmoste, ai duhet të njoftonte popullin shqiptar, nuk duhet të ankohej te ministri i Greqisë.”- tha Berisha.