Presidenti i Ilir Meta ka dalë pasditen e sotme në një konferencë për mediat, për t’u përgjigjur lidhur me deklaratat e ministrit të Jashtëm të Greqisë, Nikos Dendias në lidhje me çështjen e detit.
“Në datë 23 maj, javën e kaluar, ministri grek ka vizituar Shqipërinë, duke u takuar me ministren e jashtme dhe kryeministrin.
Nga pala greke nuk është kërkuar asnjë takim i ministrit Dendias me Presidentin. Ministri Dendias ndër të tjera është shprehur se u ‘ra dakord që tia referojmë çështjen tonë gjykatës në Hagë. Kjo nuk ka ndodhur’, tha Ministri Dendias, pasi Presidenti nuk i ka dhënë autorizimin përkatës. Kjo do ndodhë pas 2-3 muajsh kur të zgjidhet Presidenti i ri.
Dua të sqaroj se Ministri i Jashtëm, zoti Bushati, përmes kërkesës, 13 shkurt 2018, paraqiti kërkesën për krijimin e grupit negociator. Pas paraqitjes së informacionit shtesë nga ministri i jashtëm, Presidenti përmes aktit autorizoi ministrin e jashtëm që sipas kritereve, të lëshojë plotfuqinë për projektmarrëveshjen. Saktësimin e vijës delimituese. Delimitimin e shelfit kontinental.
Grupi negociator i Shqipërisë, është pajisur me autorizim, për të arritur një marrëveshje për përkufizimin e zonave detare. Përpos detyrave të tjera, vetëm grupi negociator është autoriteti i vetëm.”- tha presidenti.
Gjatë fjalës së tij, Meta tha se edhe pse e ka autorizuar kryeministrin që të udhëheqë negociatat nuk ka pasur asnjë reagim nga kryeministri Rama. Sipas tij, kryeministri dhe qeveria nuk kanë qenë transparent as me publikun as me Presidentin.
“Për të diskutuar mbi ecurinë e procesit negociator mes presidentit dhe kryeministrit në qershor 2018-të u dakordësua që kryeministri t’i udhëhiqte personalisht negociatat me shtetin grek. Për këtë do paraqiste një kërkesë te presidenti për t’u pajisur me autorizimin.
Presidenti duke konstatuar se kryeministri nuk po merrte asnjë hap në këtë drejtim, me një shkresë kërkoi ndërhyrjen e kryeministrit të vendit pa vonesë që negociatat të udhëhiqeshin nga ai.
Sërish nga kryeministri nuk pati reagim në këtë drejtim, asnjë kërkesë për autorizim nuk u paraqit. Në mungesë të vullnetit nga kryeministri, presidenti duke i qëndruar konstatimeve të mëparshme i kërkoi me një shkresë ndërhyrjen në negociata që të udhëhiqeshin nga ai. Dhe për këtë kërkesë të presidentit nuk pati asnjë reagim dhe kryeministri nuk parashtroi asnjë kërkesë për autorizim. Nga kryeministri që mbajti dhe detyrën e ministrit të Jashtëm nuk është paraqitur asnjë kërkesë për autorizim.
Kryeministri përgjatë gjithë kësaj periudhe që mbante dhe detyrën e ministrit të jashtëm ka komentuar dhe dhënë qëndrime pohuese për çështjen e detit.
Kryeministri dhe qeveria jo vetëm me opinionin publik, por edhe me Presidentin nuk kanë qenë transparent dhe nuk është sjellë asnjë informacion zyrtar.
Për Republikën e Shqipërisë është në fuqi autorizimi i Presidentit të Republikës dhe nuk ka asnjë kërkesë zyrtare për plotësimin, shtimin apo kryesimin e tij dhe pse 3 anëtarë të grupit të negocimit janë larguar nga funksionet bazë. Presidenti nuk është në dijeni nëse mes dy qeverive apo dy kryeministrave është rënë dakord për të pezulluar apo dalë nga negociatat. Presidenti nuk është informuar zyrtarisht nga qeveria se me çfarë akti qeveria ka kaluar nga procesi negociator në zhvillime negociatash.”- deklaroi Meta.
Ky reagim i Metës vjen pasi tre ditë më parë, ministri grek Dendias deklaroi se çështje e detit me Shqipërinë do të zgjidhej pas largimit të presidentit aktual shqiptar, i cili nuk po i jepte autorizim kryeministrit Edi Rama.