Europoli ka paralajmëruar se armët që po dërgohen aktualisht në Ukrainë mund të përfundojnë në duart e kriminelëve që veprojnë në kontinent.
Drejtuesja e Europolit Catherine De Bolle, tha në një intervistë për gazetën gjermane Ëelt am Sonntag se një nga gjërat që shqetësonin organizatën e saj ishte “vendndodhja e armëve që po dërgohen aktualisht në Ukrainë”.
Ajo shpjegoi se kur të përfundojë konflikti, Europol dëshiron të “parandalojë një situatë të ngjashme me atë të 30 viteve më parë në luftën ballkanike”.
“Armët e asaj lufte janë duke u përdorur edhe sot nga grupet kriminale.”- tha ajo
De Bolle vuri në dukje se një nga prioritetet kryesore të Europol-it tani ishte “gjetja e një mënyre në të cilën do të merremi me situatën pas një përfundimi të mundshëm të luftës”. Sipas saj, Europol “do të mbledhë një task forcë ndërkombëtare që do të trajtojë këtë çështje.”
Zyrtari pranoi se Evropa aktualisht po sheh një nivel të paprecedentë të dhunës në rrugë, të ngjashme me situatën e parë deri më tani vetëm në vendet e Amerikës Latine. De Bolle tha gjithashtu se korrupsioni në BE është në një “shkallë më të madhe se sa kishim supozuar.” Më shumë se gjysma e organizatave kriminale që po vëzhgon Europol përdorin shërbimet e zyrtarëve të korruptuar në një mënyrë ose në një tjetër për të lehtësuar biznesin e tyre të paligjshëm.
Sa i përket konfliktit të vazhdueshëm në Ukrainë, një tjetër fushë e madhe shqetësimi për Europolin, përveç armëve, është udhëtimi i “terroristëve të njohur dhe individëve ekstremistë të përgatitur për të përdorur dhunë” në zonën e luftës.
Zyrtarja tha se ndërsa “Qendra Kundër Terrorizmit e Europolit po monitoron fenomenin nga shumë afër“, situata është “shumë dinamike dhe e fragmentuar”. De Bolle pranoi se agjencia e zbatimit të ligjit të BE-së deri më tani nuk ka qenë në gjendje të përcaktojë numrin total të njerëzve të tillë pasi vende të veçanta evropiane po i japin Europolit të dhëna të ndryshme.
Sipas vlerësimit të zyrtares, njerëzit që do të luftojnë në Ukrainë “nuk përfaqësojnë një grup homogjen”, por i përmbahen ideologjive të ndryshme. Ajo gjithashtu vuri në dukje se Europoli po sheh disa nga këta luftëtarë të kthehen në vendet e tyre “të zhgënjyer”, pasi kanë parë nga afër “brutalitetin e luftës”.