Vendosni fjalën kyçe....

Greqia planifikon zgjatjen e murit në kufi me Turqinë


Autoritetet greke thanë se planifikojnë që këtë vit të zgjasin murin përgjatë kufirit me Turqinë dhe po kërkojnë mbështetje financiare për Ballkanin Perëndimor për këtë gjë.

Notis Mitarachi, ministër për Çështje të Migrimit, tha se muri prej çeliku do të zgjatet nga 40 në 120 kilometra dhe puna për këtë çështje do të nisë më vonë gjatë këtij viti.

“Është vendimi i Qeverisë që të zgjasë edhe më tej murin dhe ne kemi kërkuar fonde evropiane”, tha Mitarachi gjatë një interviste për një radio greke.

Ai nuk dha detaje se sa parashikohet që të kushtojë ndërtimi i murit prej çeliku.

Greqia e ka akuzuar Turqinë për “instrumentalizimin” e migrimit, duke e përdorur si mjet për të bërë presion te shtetet e BE-së. Ky pretendim është hedhur poshtë nga Ankaraja, e cila thotë se vetëm po mban barrën më të madhe të migrimit, duke strehuar afër katër milionë refugjatë, shumica e të cilëve kanë ikur nga lufta civile në Sirinë fqinje.

Vitin e kaluar, 12 shtete, përfshirë edhe Greqinë, kërkuan fonde nga BE-ja për ndërtimin e mureve kufitare, ndërtimi i të cilave aktualisht financohet nga buxhetet kombëtare.

Komisioni Evropian deri më tani nuk ka paguar për ndërtimin e mureve në kufijtë e jashtëm, duke argumentuar se këto fonde do të merreshin nga fondet e dedikuara për aktivitetet për migrantët, përfshirë edhe financimin e agjencisë për mbrojtje kufitare të bllokut, Frontex.