Vendosni fjalën kyçe....

Grupi që fitoi Eurovizionin shet trofeun për të blerë drone për Ukrainën


Orkestra Kalush, grupi ukrainas që fitoi “Eurovizionin” e këtij viti ka shitur trofeun që morën më 14 Maj për 900 mijë dollarë për të mbledhur para për luftën në Ukrainë.

Siç shkruan BBC, mikrofoni i kristaltë u hodh në ankand në “Facebook”, me qëllim blerjen e dronëve për ushtrinë e Ukrainës.

Shitja përkoi me paraqitjen e grupit në një koncert bamirësie në Portën e Brandenburgut të Berlinit. Ky koncert synonte të mblidhte para për kujdesin mjekësor dhe furnizimet.

Duke folur në koncert, anëtari i grupit Oleh Psiuk bëri thirrje që njerëzit të mos mësohen me luftën, e cila ka lënë të paktën 4 mijë e 031 civilë të vdekur dhe 4 mijë e 735 të plagosur.

Sipas OBK-së, lufta ka detyruar gjithashtu më shumë se 14 milionë njerëz të largohen nga shtëpitë e tyre që kur Rusia nisi pushtimin më 24 shkurt.

Prezantuesi ukrainas Serhiy Prytula njoftoi se paratë e mbledhura nga shitja e trofeut do të përdoren për të blerë tre drone PD-2.

Dronët përdoren shumë nga forcat ukrainase dhe ruse, si armë ashtu edhe si avionë zbulimi.