Vendosni fjalën kyçe....

Kleçka e punësimit, rritja më 2021 erdhi nga pensionistët, për popullsinë në moshë pune kishte rënie


Rritja ekonomike mbi 8% vitin e kaluar nuk ka arritur të prodhojë më shumë punësim, përkundrazi punësimi ka pësuar rënie në popullsinë në moshë pune.

Ajo që INSTAT raportoi se punësimi u rrit me 0.4% gjatë vitit 2022 nuk ka qenë e vërtetë për popullsinë në moshë pune ku shihet se, përkundrazi është shënuar tkurrje.

Të dhënat zyrtare më të detajuara tregojnë se në vitin 2021 ishin të punësuar 1,176,381 persona të moshës 15-64 vjeç me një rënie 0.4% në krahasim me një vit më parë ose mbi 4200 më pak se, më 2020 ku pandemia pllakosi vendi dhe punësimi u godit më së shumti.

Rritja më e madhe e punësimit shihet të ketë ndodhur në mesin e pensionistëve. Të dhënat e INSTAT tregojnë se të punësuarit mbi 64 vjeç u rritën me 15.5% në raport me një vit më parë ose 9668 persona më shumë.

Në vitin 2021 numri i pensionisteve të punësuar arriti në 72,368 persona nga 62 mijë e 700 në vitin 2020.

Në të kundërt punësimi në moshat e reja ka pësuar rënie përkundër nevojave të tregut të punës që paraqesin mungesa të thella në disa sektorë.

Sipas INSTAT, shkalla e papunësisë për të rinjtë e moshës 15-24 vjeç është 27,1 %. Krahasuar me vitin paraardhës, shkalla e papunësisë së të rinjve pësoi një rritje prej 0,6 pikë përqindje.

Hendeku që po lënë të rinjtë në tregun e punës po zëvendësohet me pensionistë. Sipas të dhënave të INSTAT numri i personave mbi 64 vjeç që janë raportuar në punë gjatë vitit 2021 shënoi rritje te ndjeshme në raport me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Gjithashtu numri i personave në punë mbi 60 vjeç arriti rekord më 2022. Ata po bëhen gjithnjë e më atraktiv në tregun e punës për shkak të zanateve që zotërojnë. Bizneset po gjejnë më shumë aftësi te moshat e vjetra. Të rinjtë janë më të pakët në numër dhe gjithnjë e më pak po tentojnë të mësojnë zanate. Tendenca për të fituar shpejt dhe shumë pa lodhje është tashmë evidente.

Një seri faktorësh demografik, ku kryeson emigracioni i lartë po redukton me ritme të përshpejtuara forcën e punës tek të rinjtë 15-29 vjeç. Në të kundërt, numri i pensionistëve në punë po rritet ndjeshëm.

Në kushtet kur pagesat e pensioneve nuk sigurojnë as mbijetesën për pensionistët, qeveria nuk ka hapësira për të manovruar për përmirësimin e situatës. Skema publike karakterizohet nga deficiti i lartë, për shkak se shpenzimet janë më të larta se të ardhurat nga kontributet.

Shumë pensionistë detyrohen të integrohen në tregun e punës për shkak te të ardhurave të pamjaftueshme nga pensioni.

Në vitin 2020, pensioni mesatar në qytet ishte 15,732 lekë, duke shënuar rënie me 3.2% në raport me vitin 2019. Kjo ishte hera e parë që pensioni neto shënoi rënie, teksa ekspertët në ISSH sqaruan se pensioni mesatar do të jetë nën presion në vitet e ardhshme, për shkak të rritjes së numrit të përfituesve (popullsisë që jeton jashtë vendit) dhe atyre që jetojnë në fshat./B.Hoxha

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor