Vendosni fjalën kyçe....

Kuvendi një minutë heshtje për ish-presidentin Bujar Nishani


Kuvendi ka mbajtur sot një minutë heshtje për ish-presidentin Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta në mënyrë të parakohshme për shkak të një sëmundje auto imune në mëlçi.

“Kolegë deputetë, në nder dhe respekt të ish-presidentit të Republikës së Shqipërisë, ish-ministrit dhe ish-kolegut, ju ftoj të mbajmë një minutë heshtje për largimin nga jeta në mënyrë të parakohshme.“- tha nënkryetarja e parlamentit, Ermonela Felaj.

Ish-presidenti Nishani u nda nga jeta në moshën 58-vjeçare ditën e shtunë pas një sëmundje auto imune në mëlçi. Ai fillimisht mori ndihmën mjekësore në spitalin ‘Shefqet Ndroqi’ dhe pas rëndimit të gjendjes shëndetësore, u dërgua në Gjermani.

Nishani ushtroi detyrën e Presidentit të Shqipërisë nga 24 korriku i vitit 2012 deri në 24 korrik të vitit 2017. Më herët ai kishte mbajtur poste të rëndësishme në qeveri, si ministër i Brendshëm (në vitin 2007 dhe në vitin 2011), si dhe i Drejtësisë në vitin 2009.

Ish-presidenti Nishani ka lënë pas bashkëshorten dhe dy fëmijë.