Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) gjatë këtyre 5 muajve të 2022 ka nisur procedurat për revokimin e të paktën 23 lejeve minerare.
Pjesa më e madhe e revokimeve sipas shifrave zyrtare është bërë gjatë muajit shkurt. Shkaqet për revokimet janë nga më të ndryshmet por ai që dominon është sipas MIE fakti që subjektet nuk kanë respektuar kërkesat e legjislacionit minerar lidhur me pagesën e garancisë financiare të rehabilitimit për vitin paraardhës.
Një tjetër shkak që konstatohet tek shkresat që u janë nisur subjekteve për nisjen e procedurës së revokimit të lejes minerare ka të bëjë me faktin që në shumë raste janë respektuar kërkesat e legjislacionit minerar lidhur me ndërprerjen e aktivitetit. Rezulton se në objekt nuk është punuar prej më shumë se një viti kalendarik duke anashkaluar shfrytëzimin e lejes.
Revokimi i lejes është bërë edhe në rastet kur është konstatuar që ka pasur aksident në objektin minerar dhe kur nga analiza që i është bërë situatës është dalë në përfundimin se ka ndodhur si pasojë e mungesës së disiplinës teknike të shkeljes së rregullave të sigurimit teknik.
Sipas legjislacionit në fuqi janë një numër i madh problematikash që mund të konstatohen nga autoritetet dhe që mund të çojnë në revokimin e lejes përveç atyre që janë hasur më së shumti në rastet e këtij viti .
Të tilla janë nga konstatimi se në dokumentacion ka të dhëna të rreme tek mosfillimi i aktivitetit pas marrjes së lejes apo kur nuk paguhet renta minerare.
Ligji i vitit 2010 i ndryshuar dhe që rregullon sektorin minerar parashikon revokim edhe zotëruesi i lejes së shfrytëzimit minerar të grupit të mineraleve metalore, jometalore, qymyret dhe bitumet apo grupit të mineraleve ndërtimore vazhdon të përdorë praktika të dëmshme të shfrytëzimit të mineraleve dhe të trajtimit të tyre, ose i drejton operacionet e punës në kundërshtim me projektin e miratuar.
Po kështu kur zotëruesi i lejes minerare nuk respekton kërkesat e planit të rehabilitimit, të planit të mbylljes së veprimtarisë minerare e të planit të menaxhimit të mbetjeve./N.Maho
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor